Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara janë përshkallëzuar, pasi Teherani ka kërcënuar me bllokimin e rrugëve të tjera tregtare dhe të eksportit të naftës në rajon, ndërsa Uashingtoni ka nisur një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake iraniane.
Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në ndalimin e asaj që e cilëson si “agresion amerikan”, duke paralajmëruar se mund të preken edhe kanale të tjera të rëndësishme të eksportit të energjisë.
Paralajmërimi erdhi pasi Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (Centcom) njoftoi se kishte kryer sulme me dronë ndaj objektivave në Iran, pas një operacioni të gjerë ushtarak që zgjati disa orë gjatë natës.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA mund të godasë edhe infrastrukturën energjetike iraniane nëse Teherani nuk rikthehet në negociata. “Do t’i ruajmë objektivat e energjisë për në fund, por në fund do t’i godasim”, tha Trump në një intervistë televizive.
Ndërkohë, Uashingtoni ka vendosur një bllokadë të re ndaj porteve iraniane, duke kufizuar lëvizjen e anijeve drejt dhe nga zonat bregdetare të Iranit.
Në kundërpërgjigje, Garda Revolucionare paralajmëroi se mund të mbyllen edhe rrugë të tjera të eksportit të naftës dhe gazit që, sipas saj, mbështesin interesat e SHBA-së dhe aleatëve të saj.
Sipas mediave shtetërore iraniane, ushtria e Iranit ka kryer gjithashtu sulme ndaj objektivave amerikane në Jordani, Kuvajt dhe Bahrein. Ndërkohë, aleatët e SHBA-së kanë raportuar se kanë interceptuar dronë dhe raketa të lëshuara nga Irani.
Përshkallëzimi i fundit ka rritur shqetësimet për sigurinë e furnizimeve globale me energji dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme. (A2 Televizion)