19,9 mld lekë borxhe deri në shtator, detyrimet e prapambetura u zgjeruan me gati 3 miliardë lekë në një vit

Nga Marjo Brakaj
11 Nëntor 2023, 12:38 | Ekonomi

19,9 mld lekë borxhe deri në shtator, detyrimet e prapambetura u

Pavarësisht se në arkën e shtetit këtë vit janë futur më shumë para’ se kurrë më parë, institucionet në nivel qendror e vendor zgjeruan detyrimet e prapambetura. Të dhënat nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë tregojnë borxhet ndaj kompanive private për punë apo shërbime të kryera në fund të shtatorit arritën në 19.9 miliardë lekë. Në raport me një vit më parë detyrimet e prapambetura rezultojnë të jenë zgjeruar me 2.94 miliardë lekë apo rreth 29 milionë euro.

“Detyrimet e prapambetura janë një problem serioz për menaxhimin e buxhetit të shtetit, por për qeverinë ato shihen si një mënyrë për të rritur borxhin e fshehur, për të kryer investime ndonëse nuk kanë para’ në gjendje”, tha Eugen Musta, ekspert për ekonominë.

Të dhënat nga “Financat” tregojnë se pjesa më e madhe  këtyre detyrimeve iu takon institucioneve të pushtetit qendror me përkatësisht 12.27 miliardë lekë, ndërsa 7.63 miliardë lekë i takojnë bashkive. Zgjerimi i detyrimeve të prapambetura këtë vit, për ekspertin e ekonomisë Eugen Musta ka ardhur edhe si pasojë e zgjedhjeve të 14 majit.

“Është kthyer në traditë që në vitet elektorale ka një shtim të detyrimeve të prapambetura me qëllim rritjen e investimeve në funksion të zgjedhjeve, pavarësisht nëse janë Parlamentare apo vendore”, tha eksperti.

Pjesa më e madhe e detyrimeve të prapambetura që 61 bashkitë në vend kanë, mbi 50 për qind e totalit janë për investime të kryera. Lista pasohet nga shërbimet e marra, por të papaguara, vendimet gjyqësore dhe mallrat.

“Është kthyer në kulturë për shkak të pandëshkueshmërisë. Ndonëse ka një bazë ligjore, askush nuk e respekton atë duke bërë që të gjithë të humbasim nga mos-kryera e këtyre pagesave”.

Nisur nga fakti që detyrimet e prapambetura janë kthyer në një problematikë që nuk po merr zgjidhje, “financat” e kanë përcaktuar si përparësi shlyerjen e tyre në harkun e viteve 2024-2026. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos