Një ndër problemet me të cilat po përballet vendi ynë është “emigrimi i trurit”. Delina Ibrahimaj, ministre për Sipërmarrjen dhe klimën e biznesit tha se kjo është një sfidë të cilën e kanë hasur edhe vendet e tjera në zhvillim si Shqipëria, mirëpo në A2 Business ajo ka zbuluar disa pika të planit që ka qeveria shqiptare për të parandaluar emigrimin e të rinjve drejt vendeve të BE-së dhe jo vetëm.
Një ndër to, zbuloi Ibrahimaj, është nxitja e hapjes së bizneseve nga ana e tyre. Sipas ministres, kjo do të bëhet me anë të zhvillimit të start up-ve, që do të ndiqen nga institucionet jo vetëm në fillimin e saj, por në të gjithë ciklin si një biznes.
E ftuar në A2 CNN, Ibrahimaj zbuloi të gjitha detajet se si do të funksionojë kjo nismë e re.
“Ne kemi marrë disa masa që të reduktojmë emigrimin e trurit, e kemi të paevitueshme të konkurrojmë me vendet europiane për pune, është një sfidë, por që mund të tejkalohet, pagat janë një pjesë e zgjidhjes, mirëqenia dhe të ardhurat për frymë, është një pjesë, pjesa tjetër dhe ajo që do të synojmë është mundësia që kanë të rinjtë dhe të rejat në Shqipëri duke nxitur incetivën sipërmarrëse. Po punojmë për një strategji që do të zhvillojë ekosistemin e start up, jo vetëm si ide dhe pikënisje, por ndjekjen në të gjithë ciklin e tyre, ngritja e disa institucioneve private ose shtetërore për financimin e tyre, aksesi në financë është një nga problematikat kryesore që një biznes i vogël ka dhe ne do të punojmë për të ngritur këtë strukturë, që të ketë kanale financimi jo vetëm në banka, pra mundësia e të rinjve që të hapin sipërmarrjen e tyre duke zhvilluar kapacitet dhe infrastrukturën, është një punë që do të jap rezultat në të ardhmen", u shpreh Ibrahimaj. (A2 Televizion)