Emigrantëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Slloveni do t’iu njihen vitet e punës. Së afërmi ato do mund të përfitojnë dy pensione, një në atdhe dhe një tjetër në vendin ku jetojnë e punojnë.
Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, shprehet: "Këto marrëveshje janë thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, pasi u mundësojnë atyre që vitet e punës dhe kontributet e derdhura në Shqipëri dhe në shtete të tjera të njihen për përfitimin e pensioneve dhe të drejtave të tjera të sigurimeve shoqërore".
Marrëveshja me Slloveninë është e fundit e arritur nga Qeveria e Shqipërisë, pas asaj me Poloninë. Përpjekje për negociata ka edhe me Holandën, Finlandën, Moldavinë, Australinë, Norvegjinë apo Suedinë.
“Ka qenë një problem i cili ndër vite është mbartur. Ne, siç e dini, gjatë vitit të kaluar kemi firmosur dhe ratifikuar marrëveshjen me Italinë, që është më e rëndësishmja, pasi numri i shqiptarëve që punojnë dhe jetojnë në Itali është shumë i lartë”, tha Ibrahimaj.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri një pasqyrë t6ë ecurisë së zbatimit të marrëveshjes për njohjen e pensioneve me Italinë.
“Nga marrëveshjet e nënshkruara deri më tani kanë përfituar rreth 20 mijë shqiptarë, të cilëve u janë njohur vitet e punës dhe kontributet shoqërore. Aktualisht, në proces janë edhe katër marrëveshje të tjera”, u shpreh ministrja.
Shqipëria ka aktualisht marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të viteve të punës me Turqinë, Belgjikën, Luksemburgun, Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë, Çekinë, Maqedoninë e Veriut, Kanadanë, Bullgarinë, Kosovën, Zvicrën, Kroacinë, Italinë, Serbinë, Poloninë dhe së fundmi me Slloveninë. Sytë e qeverisë tashmë janë hedhur drejtët shtetit me diasporën më të madhe shqiptare... Greqisë. (A2 Televizion)