Kryesisht nga çmimet dhe fitimet e individëve e bizneseve në gjysmën e parë të vitit në buxhetin e shtetit hynë mbi 410 miliardë lekë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se në krahasim me janar-qershorin e vitit të shkuar, arkëtimet janë rritur me 44.6 miliardë lekë apo 12 për qind.
Eduart Gjokutaj, ekspert për ekonominë shprehet: “Është e rëndësishme të kuptojmë se kush e ka mbajtur barrën kryesore të kësaj rritjeje. Kur të ardhurat rriten, pyetja kryesore është nëse kjo vjen nga zgjerimi i bazës së tatimpaguesve, nga ulja e informalitetit apo nga pagesa më e madhe e atyre që janë tashmë pjesë e sistemit.”
Me gjithë inflacionin e zbutur, nga tatimi mbi vlerën e shtuar mbi çmimet e ushqimeve dhe produkteve u mblodhën plotë 79 miliardë lekë. Rritja e pagave të individëve gjithashtu kontribuoi me gati 47 miliardë lekë, ndërsa detyrimet e bizneseve me 31.2 miliardë lekë.
Klodian Muço, ekspert ekonomie, thotë: “Problemi nuk është vetëm sa para mblidhen, por sa mirë përdoren ato. Investimet publike kanë një rol të drejtpërdrejtë në ekonomi, ndaj mosrealizimi i tyre do të thotë humbje e një mundësie për të nxitur zhvillimin dhe për të përmirësuar shërbimet.”
“Ky është një lajm i mirë për buxhetin e shtetit, por jo për qytetarët dhe bizneset. Këta të fundit po paguajnë më shumë. Na mungon një analizë që të dygojë se sa janë ngushtuar evazioni dhe informaliteti. Nëpërmjet tyre ne do mund të matnim edhe performancën e përgjithshme të politikave”, vijon Gjokutaj.
Nga ana tjetër u shpenzuan pak më shumë se 358 miliardë lekë, nga 333.3 miliardë në janar-qershor 2025. Parashikimi për këtë 6-mujor ishte për të shpenzuar rreth 375 miliardë lekë, pra nuk janë përdorur 11.9 miliardë lekë, duke treguar për vijim të ‘problemit kronik’ mos harxhimi i parave, sidomos të atyre për investime publike.
“Duhet analizuar me kujdes. Pse nuk janë realizuar investimet. Ky është problem. Nuk është kurim por mungesë eficence nga institucionet”, shprehet Muço.
Të ardhurat ndjeshëm më të larat se shpenzimet bënë që ekonomia e vendit të mbyllej pozitivisht në gjysmën e parë të vitit me, me gati 53 miliardë lekë të kursyera. (A2 Televizion)