Rritja e pagave të individëve dhe zgjerimi i fitimeve të bizneseve po i bëjnë mirë arkës së shtetit edhe këtë vit, madje po e mbushin më shumë se edhe gjatë 2023-shit. Të dhënat nga Ministra e Financave tregojnë se në janar u arkëtuan mbi 54 miliardë lekë, gati 4.4 miliardë më shumë se një vit më parë.
Të ardhurat tatimore, ku përfshihen taksat e të punësuarve dhe sipërmarrjeve dhanë kontributin më të madh në nisjen e mbarë të vitit me 35.34 miliardë lekë, 15.5 për qind më shumë se janarin e 2023-shit. E kundërta ka ndodhur me të ardhurat doganore ku përfshihet tatimi mbi vlerën e shtuar në import, bashkë me akcizat e karburanteve, pijeve alkoolike e cigareve të cilat ranë në 15 miliardë lekë, 240 milionë lekë më pak se një vit më parë.
Nga ana tjetër qeveria duket se po tregohet më dorështrënguar, të paktën në janar. Muajin e shkuar për investime dhe të tjera nevoja u shpenzuan vetëm 38.6 miliardë lekë nga 43.5 miliardë janarin e 2023-shit.
Të ardhurat ndjeshëm më të larat se shpenzimet bënë që ekonomia e vendit të mbyllej pozitivisht në janar, me gati 16 miliardë lekë të kursyera.
Deri në fund të vitit, Ministria e Financave përllogaritet që në buxhetin e shtetit të hynë 686,7 miliardë dhe të shpenzohen 744 miliardë lekë. Defiçiti, diferenca mes shpenzimeve më të larat se të ardhurat prej 67.3 miliard lekësh do të mbulohet nga borxhet që do të merren brenda vendit. (A2 Televizion)