Më shumë se 18 mijë të moshuar të tjerë dolën në pension vetëm gjysmën e parë të vitit. Të dhënat nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore tregojnë se numri i përfituesve të pensionit të pleqërisë në fund të qershorit në vend arriti në mbi 580 mijë nga më pak se 562 mijë në fundit të vitit të shkuar.
“Kjo do të thotë se po tkurret grup-mosha 25-45 vjeç. Nga ana tjetër ka një rritje të jetëgjatësisë. Kjo bën që numri i pensionistëve të shtohet.”
Ersi Dhamo - Sociologe
Zgjerimi i përfituesve me ritme më të shpejta se numri i kontribuuesve po detyron qeverinë të vërë më tepër në para për skemën e pensioneve. Nga 31.2 miliardë lekë këtë vit, mbështetja buxhetore për Institutin e Sigurimeve Shoqërore në 2024-n do të rritet në 36.8 miliardë lekë.
“Çfarë ka ndodhur? Nga 1.4 milionë në vitin 1990, numri i kontribuuesve ka rënë në rreth 700 mijë. Numri i kontribuuesve ka rënë me rreth 47 për qind, ndërsa numri i pensionistëve është rritur ndjeshëm.”
Klodian Muço - Ekspert për ekonominë
Ministri e Financave dhe Ekonomisë përllogarit në shpenzimet totale të Sigurimeve Shoqërore për vitin e ardhshëm do të jenë në nivelin e 169.8 miliardë lekëve nga 159.9 miliardë këtë vit.
Po çfarë do të thotë për pjesën tjetër të shoqërisë zgjerimi me gati 10 miliardë lekë i shpenzimeve për pensionet?
“Kjo bën që nevojat për këtë kategori të rriten. Dhe këto janë nevoja emergjente pasi lidhen direkt me jetën e tyre.”
Ersi Dhamo - Sociologe
“Do të thotë më pak investime dhe përqendrim të shpenzimeve për të përmbushur nevojat e të moshuarve.”
Klodian Muço - Ekspert për ekonominë
Bazuar në relacion e projektbuxhetit, vitin e ardhshëm pritet të ketë 1.4 kontribuues për çdo 1 përfitues. Ky raport mbetet i njëjtë me atë të dy viteve të fundit. (A2 Televizion)