Stina e përmbytjeve erdhi, ende pak të siguruar për fatkeqësitë natyrore

Nga Marinela Lina
6 Nëntor 2023, 14:29 | Ekonomi

Reshjet e dendura dhe rrjedhimisht përmbytjet çdo vit, nxjerrin në pah numrin e ulët të shqiptarëve që sigurohen nga fatkeqësitë natyrore. Nga të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare rezulton se për periudhën janar-shtator janë paguar më pak se 20 milionë euro në gjithë vendin për sigurimin e pronave nga fatkeqësitë natyrore.

Megjithëse me një rritje të lehtë ku volumi është shtuar me 19 për qind krahasuar me një vit më parë, përsëri mbetet i ulët. Por sipas aktorëve të tregut, shqiptarët sigurohen vetëm nëse i detyrojnë bankat apo policat e sigurimit për blerje të ndryshme.

 “Fakti që vetëm 3% ose 4% e popullsisë ka një sigurim shëndeti që është gjëja më e shtrenjtë tregon sa larg jemi ne pastaj fillojnë dhe sigurimet e tjera si pronë etj.”, shprehet Avni Ponari, anëtar i Shoqatës së Siguruesve.

Përmbytjet dhe zjarret përsëriten çdo vit duke shkaktuar dëme të ndryshme individëve dhe bizneseve, por përsëri portofoli i sigurimeve të pronave është i ulët. Vetë qytetarët pranojnë se nuk kanë mundësi ekonomike për të siguruar pronat e tyre.

Nëse pyet qytetarët se përse nuk sigurohen, përgjigjet më tipike janë të tilla:

“Ai që ka siguruar është mirë, por ne me rrogat që kemi nuk ja dalim dot të sigurohemi.”

“Nuk e kam të siguruar pronën.”

Deri në shtator në portofolin e Pronës, Përgjegjësive, Garancive janë paguar në total 3.1 miliardë lekë. Pjesën dërrmuese të kësaj vlere e zë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 65.33%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 25.77% të totalit.  

 “Me 50 mijë lekë të vjetra siguron apartamentitn nga zjarri e fatkeqësitë natyrore, por nga ana tjetër është një mbrojtje për çdo familje”, shton Ponari.

Gjithë tregu i sigurimit vijon të mbetet i orientuar nga sigurimet e detyrueshme, me shumë pak rritje në segmentin e sigurimit vullentar.

Primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zunë 39.93% dhe ato të sigurimit të detyrueshëm 60.07% të totalit të tregut në 9 muajt e parë të vitit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos