Shqipëria ka dalë nga “lista gri” e pastrimit të parave, në të cilën kishte hyrë në shkurt të vitit 2020. Lajmi u dha nga Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, në një konferencë të përbashkët me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.
“Ky është një vendim me një sërë ndikimesh pozitive, qoftë në aspektin reputacional, ashtu edhe në lehtësimin e kostove të transaksioneve financiare në sistemin bankar brenda dhe jashtë vendit,” deklaroi ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete.
Për të “pastruar imazhin”, Shqipëria ka pasur si kusht nga Task Forca Financiare e Moneyval të rishikonte qëndrimin e saj në drejtim të Amnistisë Fiskale.
Megjithatë, ministri Mete nuk dha një përgjigje ezauruese nëse qeveria ka hequr dorë apo jo nga nisma.
Ne nuk do të ndërmarrim asnjë masë që bie ndesh me parimet në këtë fushë, me rekomandimet FATF apo me praktika të ngjashme të marrë në vendet e tjera. Çdo masë është në pajtueshmëri me praktikat e tjera."
Ndërkohë, shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Anke Weber kërkoi nga institucionet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë shtresave në nevojë dhe të përqendrohen në zgjerimin e burimeve të rritjes ekonomike.
Ulja e mëtejshme e inflacionit është kritike, veçanërisht për të mbrojtur familjet e cenueshme. Sezoni turistik veror po zgjerohet dhe ne besojmë se sektori do të vijojë të rritet në vijim. Megjithatë, ne si FMN kemi vënë në dukje se duhet të diversifikohen burimet e rritjes ekonomike.”
I pyetur nga A2 nëse kursi aktual i këmbimit është normalitet i ri, guvernator i Bankës së Shqipërisë dha këtë përgjigje.
Natyrisht nëse ekonomia shqiptare do të rritet dhe do zhvillohet, dhe ne kështu shpresojmë, atëherë sigurisht që edhe kursi i këmbimit do të vijojë të jetë në këto nivele apo edhe më i fortë."
Ministria e Financave dhe Ekonomisë pret që rritja ekonomike, këtë vit, të jetë në nivelin 3.7 për qind, për t’u zgjeruar në 3.8 për qind vitin e ardhshëm. Sipas “financave”, në afatmesëm rritja ekonomike do të jetë në nivelin 4 për qind. (A2 Televizion)