Pas Vlorës, Pogradecit e Lezhës, edhe qytetarët e Fierit dhe disa bashkive të qarkut do të paguajnë më shumë për ujin e pijshëm. Sipas vendimit të Entit Rregullator të Ujit të Publikuar në Fletoren Zyrtare, një metër kub ujë për ata që jetojnë në Fier, do të kushtojë 60 lekë nga 52 lekë aktualisht.
Me 20 për qind do të rritet nga 18 maji uji i pijshëm edhe për banorët e Mallakastrës. Rreth 40 mijë banorë të kësaj bashkie do të paguajnë 60 lekë për metër kub nga 52 lekë aktualisht.
Nga 52 lekë aktualisht, çmimi do të rritet në 60 lekë për metër kub edhe për rreth 30 mijë banorët e Roskovecit. Ujësjellës Kanalizime Fier kishte kërkuar rritje të çmimit të furnizimit me ujë të pijshëm edhe për qytetarët e Patosit, por Enti Rregullator nuk e miratoi kërkesën. Kjo pasi tarifat aktuale në këtë Bashki janë më të larta se mesatarja e Qarkut Fier.
Çmimet e furnizimit me ujë të pijshëm në katër nga gjashtë bashkitë e qarkut Fier janë rritur edhe për bizneset dhe institucionet publike. Shtrenjtimi varion nga 10 deri ë 20 për qind.
Rritja e çmimit të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët e Fierit dhe disa bashkive të qarkut parashikohet të vijojë. Në dy vitet e ardhshëm banorët e Fierit, Mallakastrës dhe Roskovecit pritet të paguajnë 10 lekë më tepër për ujin.
Aktualisht, edhe ujësjellësi Durrësi që kanë kërkuar rritje të çmimit të furnizimit me ujë të pijshëm. Vendimi pritet të merret nga Enti Rregullator i Ujit, brenda muajit maj. (A2 Televizion)