Zhvillimet ekonomike dhe gjeopolitike po ndryshojnë gjeografinë e tregtisë dhe hartën e investimeve të huaja në Shqipëri. Turqia është kthyer tashmë në partnerin e katër në drejtim të investime dhe në vendin e tretë për sa i përket shkëmbimit të mallrave. Zgjerimi i ndërtimeve si pasojë e kërkesës së rritur për të blerë apartamente mund t’i japë një tjetër hov këtyre marrëdhënieve.
“Zonën e Ballkanit, por edhe Shqipërinë e shikojmë si një vend potencial për rritjen e bashkëpunimit midis Turqisë dhe shpresojmë në një rritje të volumit tregtar pas këtij aktvivitetit. Qëllimi ynë është rritja e bashkëpunimit dhe vëllimit tregtar midis dy vendeve tona dhe mendoj që me anë të aktiviteteve të këtij lloji shpresojmë t’ia arrijmë“, u shpreh Samet Damar, Shoqata Turke e Eksportuesve të Çelikut.
Pozicioni gjeografik dhe ecuria ekonomike shihen nga sipërmarrësit turq si dy ndër avantazhet e Shqipërisë për të thithure edhe më shumë investime turke, të cilat në gjysmën e parë të vitit përllogariten në gati 60 milionë euro.
“Shqipërinë e shohim si një vend potencial për të investuar. Është një vend i vogël, por duke u zhvilluar. Shpresojmë shumë që dhe kompanitë shqiptare të vijnë në Turqi dhe të fillojë lëvizja e tregut. Çeliku turk eksportohet në shumë vende të botës, kështu që ne duam edhe me rritjen e sektorit të ndërtimit në Shqipëri, çeliku turk të jetë i pranishëm në tregun shqiptar” deklaroi sipërmarrësja turke Ipek Yuksel.
30 kompani turke që operojnë në sektorin e çelikut dhe 300 kompani nga Shqipëria dhe rajoni u mblodhën së fundmi në Tiranë për të diskutuar për bashkëpunime të reja dhe investime të përbashkëta, me qëllim rritjen e volumeve tregtare.
(A2 Televizion)