Drogë dhe lojëra fati në lokal, sekuestrohen 160 mijë euro në Boboshticë, prangoset pronari

Nga A2 CNN
13 Janar 2024, 13:08 | Kronikë

Drogë dhe lojëra fati në lokal, sekuestrohen 160 mijë euro

Një 56-vjeçar është arrestuar nga Policia e Korçës, pasi kishte përshtatur lokalin për përdorim drogash të forta dhe për lojëra fati në fshatin Boboshticë, ndërsa një 20-vjeçar u procedua penalisht, pasi u kap në ambientet e lokalit duke blerë doza kokaine.

Gjatë kontrollit në banesën e pronarit të lokalit dhe në atë të prindërve të tij, policia gjeti heroinë dhe kokainë, municion luftarak dhe 160 000 euro të dyshuara me burim nga veprimtaritë kriminale.

Policia sekuestroi heroinë, 240 gramë kokainë, peshore elektronike, armë të ftohtë, municion luftarak, 160 000 euro, laptop, çipsa, celular dhe automjet.

Njoftim i Policisë

Si rezultat i angazhimit maksimal të shërbimeve të Policisë së Korçës, në kuadër të megaoperacioneve kombëtare “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”, si dhe i punës së pandërprerë të inteligjencës policore, kësaj here për një lokal në fshatin Boboshticë, ku kryheshin disa krime, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Mix”.

Gjatë operacionit u kap dhe u vu në pranga pronari i këtij lokali, shtetasi R. K., 56 vjeç, banues në fshatin Boboshticë.

Nga kontrollet në lokal, u konstatua se ky ambient ishte përshtatur për përdorim dhe shitje drogash të forta (heroinë dhe kokainë), në doza. Gjithashtu, se ishte përshtatur për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Në ambientet e lokalit u kap duke blerë doza kokaine, shtetasi M. N., 20 vjeç, banues në Korçë, ndaj të cilit filloi procedimi në gjendje të lirë.

Më tej, nga kontrollet në banesën e 56-vjeçarit dhe në atë të prindërve të tij, shërbimet gjetën sasi të tjera të lëndëve narkotike heroinë dhe kokainë, 2 krëhëra armë zjarri dhe 160 000 euro të dyshuara me burim veprimtaritë kriminale.

Në përfundim të veprimeve procedurale u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: sasi lëndësh narkotike heroinë dhe kokainë, një peshore elektronike, municioni luftarak, 1 shkop bejsbolli, shuma e eurove, një laptop, valixhe me çipsa, si dhe automjeti dhe celulari i të arrestuarit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi