Aksident i rëndë në Maliq, makina përplas motorin e drejtuar nga një 17-vjeçar

Nga Artin Halili
19 Nëntor 2023, 18:58 | Kronikë
Aksident i rëndë në Maliq, makina përplas motorin e drejtuar
Foto ilustruese

Një aksident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të diele në Maliq. Sipas policisë, pranë fshatit Veliternë, një mjet tip “Ford” është përplasur me një motor që drejtohej nga një 17-vjeçar.

Për pasojë 17-vjeçari ka marrë lëndime së bashku më bashkëmoshatarin që ishte pasagjer në motor. Të dy janë dërguar për mjekim në Spitalin Korçës, ndërsa drejtuesi i mjetit është shoqëruar në komisariat. Ka nisur puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

“Informacion paraprak: Më datë 19.11.2023, rreth orës 18:10, në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, pranë fshatit Veliternë, Maliq, automjeti tip “Ford” me drejtues shtetasin B. J., është përplasur me një motomjet me drejtues shtetasin F. M., rreth 17 vjeç. Për pasojë është dëmtuar drejtuesi F. M. dhe pasagjeri i motomjetit, shtetasi A. K., 17 vjeç, të cilët u dërguan për mjekim në spitalin e Korçës. Me drejtuesin e automjetit B. J., po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”, njofton policia.

Sipas policisë, dy adoleshentët po udhëtonin me motor nga Pogradeci në drejtim të Korçës kur janë përplasur nga një mjet tip "Ford" i cili po vinte nga Korça në drejtim të Pogradecit.

Në momentin e aksidentit mjeti ka kaluar nga krahu i djathtë i rrugës nacionale për në krahun tjetër në drejtim të pikës së karburantit, moment ky që ka sjellë edhe përplasjen me motorin që udhëtonin dy të rinjtë.

Nga kjo përplasje kanë mbetur të plagosur te dy 17-vjeçarët të cilët janë dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës ku e po marrin ndihmën mjekësore. Burime pranë këtij spitali bëjnë me dije se të dy adoleshentët janë jashtë rrezikut për jetën.

Aksi rrugor nga Petrusha deri në Maliq është bërë burim aksidentesh të shumta edhe për shkak të sinjalistikës së munguar por dhe degëzimeve dhe kryqëzimeve të shumta.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Dita jonë 2024