Policia britanike ka publikuar pamjet e arrestimit të pjesëtarëve të një bande shqiptare të trafikut të drogës, e cila idealizonte filmin e Al pacinos, “Scarface”, pas një sërë bastisjesh të organizuara rreth kryeqytetit Londër.
Siç bën të ditur "Daily Mail", hetimet për grupin e organizuar kriminal nisën pas sinjalizimit për aktivitete të dyshuara në një zonë të Derbyshire, në veri të Londrës.
Grupi, i drejtuar nga vëllezërit Edmond dhe Eduard Haziri pomponte 1.1 milion paund kokainë në qytezat rreth Stafordshire, Derbyshire dhe Leicestershire, duke shitur drogë të klasit të parë, të mbështjellë në bileta llotarie.
Siç pohon tabloidi, ata u kapën pas një operacioni 1-vjecar. Sakaq, gazeta "Indipendent" e Londrës zbulon detaje të tjera nga marrëveshja mes qeverisë britanike dhe asaj shqiptare për transferimin e të burgosurve shqiptarë në burgjet tona.
Ajo përfshin një ndihmë prej 1.5 milion paundësh për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve në Shqipëri, që sipas medias britanike, do të përdoren për blerjen e 15 makinave elektrike dhe 22 furgonëve.
Ujdia që u njoftua në maj parashikon transferimin në atdhe të 200 shqiptarëve të burgosur në Angli dhe Uells. (A2 Televizion)