Gerd Gjinarari arrestohet në Belgjikë

Nga Igli Çelmeta
15 Qershor 2026, 12:47 | Kronikë

Gerd Gjinarari arrestohet në Belgjikë

Është arrestuar në Belgjikë Gerd Gjinarari.

Në vitin 1997, në një spital në Milano, Gjinarari dhe Arben Grori hynë në dhomën e spitalit ku ishte Naim Zyberi, duke u paraqitur si të afërm të pacientit dhe realizuan ekzekutimin me armë zjarri, të cilën e kishin fshehur brenda një buqete me lule.

Gjinarari u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykatat italiane dhe në vitin 2014 u ekstradua në Shqipëri, shkruan A2.

Por, në vitin 2019, Gerd Gjinarari u lirua me kusht nga Gjykata e Korçës.

Më pas, Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin, duke urdhëruar rikthimin e tij në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Por Gjinarari nuk u paraqit për ekzekutimin e masës dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar.

Historia

Naim Zyberi u vra në spital në Milano

Në fillim të viteve ’90, Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë gjatë atyre viteve, Gaz Muça. Zyberi u ekzekutua më 6 gusht të vitit 1997 nga tre persona, dy prej të cilëve Arben Grori dhe Gerd Gjenerali.

Naim Zyberi në vitet e para të ’90-s kishte arritur të mblidhte rreth vetes një grup djemsh, të cilët, sipas mënyrës që kishin vetëpërcaktuar, bënin ligjin në lagjet e kryeqytetit. Ai u cilësua si një nga atentatorët e Gaz Muçës, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin, i cili nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte nga burgu, por edhe t’i shpëtonte deri në vitin 2010 hakmarrjes së djemve të Rrugës Bardhyl. Pas hapjes së burgjeve në ’97-n, edhe Naim Zyberi si shumë të tjerë arritën të largoheshin nga qelitë duke rifituar lirinë. Por Zyberi nuk do t’i shpëtonte dot hakmarrjes për vrasjet e Artur Grorit dhe të Gaz Muçës. Ai u ndoq deri në Itali nga vëllai i Grorit, Arbeni dhe atentati i parë iu bë në një bar në Torino, vend ku Naim Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe për këtë arsye, iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë. Madje, për mjekim më të specializuar u dërgua në spitalin e Milanos. Fakti që Zyberi mbeti gjallë nuk bëri që autorët të dorëzohen. Më datë 6 gusht, Gerd Gjinarari, që mbante një tufe me lule në dorë, brenda të cilës kishte fshehur pistoletën dhe Arben Grori, bashkë me një person tjetër, futen në dhomën e spitalit ku ndodhej Zyberi dhe e qëllojnë aty për vdekje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos