Thjeshtri i princit të kurorës së Norvegjisë dënohet me 4 vite burg për përdhunim

Nga A2 CNN
15 Qershor 2026, 12:10 | Bota

Thjeshtri i princit të kurorës së Norvegjisë dënohet me

Marius Borg Høiby, thjeshtri i princit të kurorës së Norvegjisë, Haakon, është shpallur fajtor për përdhunim dhe dhunë në familje, duke u dënuar me katër vite burg nga Gjykata e Oslos, pas një procesi gjyqësor që zgjati shtatë javë dhe tronditi familjen mbretërore norvegjeze.

Gjykata e shpalli 29-vjeçarin fajtor për dy akuza për përdhunim, ndër të cilat edhe një rast që, sipas vendimit, ndodhi në bodrumin e rezidencës së princit të kurorës. Ai u shpall i pafajshëm për dy akuza të tjera për përdhunim, shkruan A2 CNN.

Høiby, djali i Princeshës së Kurorës Mette-Marit nga një lidhje e mëparshme dhe pjesë e familjes mbretërore që prej martesës së saj me Princin Haakon në vitin 2001, kishte deklaruar pafajësi për akuzat më të rënda, ndërsa kishte pranuar disa shkelje më të lehta. Ai ka të drejtë të apelojë vendimin. Prokuroria kishte kërkuar një dënim prej shtatë vitesh e shtatë muajsh burg.

Gjatë leximit të vendimit, gjyqtari i Gjykatës së Qarkut të Oslos, Jon Sverdrup Efjestad, tha se “është provuar se viktima nuk ishte në gjendje t’i rezistonte veprimit”, duke iu referuar njërit prej rasteve të përdhunimit.

Procesi gjyqësor nxori në pah varësinë e Høiby ndaj drogës, video të regjistruara prej tij me përmbajtje seksuale, si edhe më shumë se 800 mesazhe elektronike të paraqitura si prova.

Vetëm njëra nga gratë që e akuzuan ishte e pranishme në sallën e gjyqit për të dëgjuar vendimin. Ajo shpërtheu në lot pasi gjykata e shpalli Høiby-n fajtor për përdhunimin e saj.

Skandali ka dëmtuar më tej imazhin e familjes mbretërore norvegjeze, e cila së fundmi është përballur edhe me polemika të tjera publike. Vendimi vjen gjithashtu në një periudhë të vështirë personale për Princeshën e Kurorës Mette-Marit, e cila vuan nga fibroza pulmonare dhe ka nevojë për transplant të mushkërive. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos