
11 emigrantë nga vendet e Lindjes së Mesme kanë lëshuar sinjalin SOS. Siç bëhet me dije, emigrantët kanë kërkuar ndihmë në det të hapur, 8 milje larg grykëderdhjes së Vjosës.
Mendohet se po kalonin ilegalisht kufirin, shkruan A2.
Emigrantët kanë rrezikuar të mbyteshin, por fatmirësisht ndihma në kohë ka bërë të mundur shpëtimin e tyre.
Ata po transportohen momentalisht me mjet lundrues nga Policia Kufitare drejt Triportit.
Të përfshira në aksionin për shpëtimin e tyre Guardia Di Finanza dhe Policia Kufitare të cilat kanë nisur pastrullimet sërish në det për të parë nëse ka raste të tjera të kalimit të paligjshëm të kufirit. Mjeti lundrues që emigrantët po tentonin të kalonin ilegalisht kufirin ishte një gomone rreth 4 metra e gjatë, me dy motorë me pak kuaj fuqi.
Sipas informacioneve, synimi i tyre ishte të kalonin drejt Italisë. Mjeti që udhëtonin nuk ka qënë i përshtatshëm për të lundruar aq persona.
Në momentin kur janë gjetur në det të hapur nuk kanë patur me vete skafistë. Rasti po hetohet pasi mjeti lundrues mendohet se është blerë në Shqipëri nga grupe që ndihmojnë emigrantët për kalim të paligjshëm të kufirit.
Ka dyshime që emigrantët kanë blerë mjetin dhe po e nisnin vetë në drejtim të Italisë. Por, nuk përjashtohet as pista që të kenë qenë me skafistë dhe t’i kenë lënë në det të hapur.
Çdo gjë pritet të konfirmohet në dëshminë e tyre në polici, aty ku janë momentalisht. (A2 Televizion)