
Forcat e Posaçme Operacionale kanë arrestuar në Tiranë, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një shtetas i dënuar me 13 vjet burgim për shfrytëzim prostitucioni dhe skllavërim/nënshtrim.
Bëhet fjalë për 48-vjeçarin Bekim Nikolli, i cili u arrestua në zonën e Institutit Bujqësor në Tiranë. Shtetasi në fjalë ishte dënuar me 13 vite burg nga Gjykata e Apelit në Napoli.
“Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve ndërmjet FAST Albania dhe FAST Itali, shërbimet operacionale të Sektorit për Kërkimin, "FAST Albania", në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, bënë të mundur lokalizimin, në zonën e Institutit Bujqësor, në Tiranë, dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, të shtetasit Bekim Nikolli, 48 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Napolit, Itali, në nëntor të vitit 2021, e ka dënuar me 13 vjet burgim për veprat penale "Shfrytëzimi i prostitucionit" dhe "Skllavërimi/Nënshtrimi", të parashikuara nga legjislacioni penal Italian”, thuhet në njoftim.
“Nga informacionet e autoriteteve italiane rezulton se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, shfrytëzonte për prostitucion shtetase të futura në mënyrë të paligjshme në Itali. Gjithashtu, ai dyshohet se ushtronte dhunë ndaj tyre, me qëllim maksimizimin e fitimeve nga shfrytëzimi për prostitucion dhe mbajtjen e tyre nën kontroll. Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë”, vijon njoftimi. (A2 Televizion)