Në seancën në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj paraqiti 5 kërkesa kryesore për zhvillimin e procesit gjyqësor.
Avokati i tij kërkoi fillimisht lejimin e kamerave për transmetim live të seancës, Veliaj të mos qëndrojë në kafazin e xhamit, kohë shtesë për t’u njohur me provat, informacion i plotë mbi mënyrën e administrimit të kallëzimit të bërë nga “Nesti Angoni”,
“Unë kërkoj lejimin e kamerave për të regjistruar live këtë proces. Fakti që vjen në sallë një punonjëse administrative dhe pyet kush është dakord e kush jo, kjo është ndërhyrje ne punët e gjykatës. Vendimmarrjen e merr trupa gjyqësore. Moslejimi i kamera në sallë është një goditje e drejtpërdrejt e të drejtës kushtetuese që kanë mediat për të transmetuar live.
Së dyti, kërkoj që t'i krijohen kushtet zotit Veliaj të marrë pjesë në gjyq, jashtë kafazit, në krah të avokatit. Mosprezenca e tij, ndikon drejtpërdrejt në proces. Ka një korrespondencë mes Komitetit të Helsinkit dhe GJKKO, ku përmendet cenimi i dinjiteti me mbajtjen e të pandehurve në kafazin e xhamit. Veliaj nuk paraqet asnjë rrezikshmëri mbi mbarëvajtjen e procesit. Kërkoj që Veliaj të jetë i lirë krah avokatit, që të realizojë mbrojtjen, si Kushtetuta i garanton.
Së treti, përsa kohë nuk jemi njohur me provat digjitale, na jepni mundësinë për të bërë kërkesa për pavlefshmëri aktesh, pasi të jemi njohur me provat digjitale.
Së katërti, kemi kërkuar nga SPAK të na vendosë në dispozicion, si është administruar kallëzimi nga Nesti Angoni.
Së pesti, vlerësojmë se seanca 1 herë ne javë nuk garanton mbrojtje efektive, është afat shumë i ngushtë. Të paktën te jenë dy javë nga një seancë në tjetrën”, tha avokati i Veliajt.
Nga ana e tij, prokurori Altin Dumani kërkoi rrëzimin e kërkesave për ndarje të çështjes për të pandehurit Mirton Lika dhe “Lani sh.p.k.”, duke theksuar se procedimi është i lidhur dhe provat ndikojnë në të gjithë të pandehurit.
“Kërkojmë rrëzimin e kërkesës për ndarje të të pandehurve Mirton Lika dhe "Lani shpk". Procedimi është i lidhur. Provat ndaj Likës dhe "Lani shpk", ndikojnë dhe tek të tjerët. Për kërkesën e Veliajt për transmetim live gjykata është shprehur. Seanca është publike. Barazimi i seancës publike me transmetimin live nuk bazohet në dispozita ligjore.Në lidhje me kërkesën për gjyq një herë në dy javë, ne kemi kërkesë tjetër. Do t'i kërkonim gjykatës të bënim gjyq çdo ditë. E dimë që kjo nuk është e mundur për shkak të ngarkesës, ndaj gjykimi një herë në javë është OK”.
Prokurori Olsi Dado kundërshtoi kërkesën për daljen e Veliajt jashtë kafazit të xhamit, si dhe theksoi se provat digjitale janë të pasqyruara në aktet procedurale. Ai shtoi gjithashtu se edhe kallëzimet anonime janë të përfshira në dosje dhe janë trajtuar sipas ligjit.
“Kërkojmë rrëzim të kërkesës së Veliajt për qëndrim jashtë kafazit të xhamit. Për provat digjitale, të gjitha janë të zbardhura në procesverbalet e këqyrjes. Për kallëzimet anonime të Nesti Angoni dhe Nasta Pëllumbi, të dy janë të përfshirë në aktet e dosjes. Janë persona të paidentifikuar. Edhe mënyra e administrimit të tyre është pasqyruar në akte. Ne jemi në themel për të debatuar çdo prove”, tha Dado.
Gjykata u tërhoq në dhomë këshillimi për të shqyrtuar kërkesat e palëve. (A2 Televizion)