Fundjava ka qenë mjaft e ngarkuar për ekipet e kërkim-shpëtimit, Policinë, forcat zjarrfikëse, shërbimin e ndihmës mjekësore dhe Forcat Ajrore. Në dy raste, në Gjipe dhe Moglicë, janë zhvilluar operacione të vështira për gjetjen dhe nxjerrjen e turistëve dhe të një shtetasi shqiptar, të cilët kishin pësuar aksidente në gryka të thella malore.
Operacioni i parë u regjistrua në Gjipe, ku një grup turistësh polakë kishin mbetur të bllokuar në një kanion, pasi njëri prej tyre kishte thyer këmbën. Pas lokalizimit të tyre, forcat e Policisë dhe zjarrfikësit mundësuan nxjerrjen e grupit rreth mesnatës së kaluar, fatmirësisht në gjendje të mirë shëndetësore.
Një tjetër operacion kërkim-shpëtimi u zhvillua edhe në Moglicë, në malin e Gopeshit, ku një shtetas, i cili po mblidhte bimë medicinale, kishte rrëshqitur duke pësuar dëmtime të rënda fizike. Edhe në këtë rast, i lënduari u nxor me sukses dhe u transportua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës.
Policia u bën apel turistëve të huaj që të mos ndërmarrin aventura në zonat malore pa shoqërimin e guidave, ndërsa banorëve të zonës u kërkon të tregohen të kujdesshëm gjatë lëvizjes në terrene të vështira. (A2 Televizion)