Padi Berishës pasi e mbrojti në gjyq, GJKKO pushon gjyqin e nisur nga avokatja Teodoresku

Nga Armand Bajrami
14 Janar 2025, 11:23 | Kronikë

Gjykata e Posaçme vendosi të pushojë padinë për “shpifje” të avokates Valentina Teodoresku kundër ish-kryeministrit Sali Berisha.

Teodoresku është avokatja që e caktuar kryesisht nga gjykata përfaqësoi Sali Berishën në seancën e 26 tetorit 2023, ku u konfirmuan masat e para “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” ndaj tij. Kalimi i Teodoreskut nga marrëdhënia avokat-klient me Berishën, ndonëse e caktuar kryesisht nga gjykata, në palë kundërshtare në sallën e gjyqit ndodhi disa ditë pas seancës së tetorit, pasi drejt emrit të saj në panele televizive, apo pubikime në rrjetet sociale pati etiketime si patronazhiste, apo ish-hetuese të diktaturës.  

Për këto thënie, në të njëjtën padi për “shpifje”, Teodoresku ngriti gishtin e akuzës dhe kërkoi gjykimin edhe të djalit të ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha, deputetëve demokratë Flamur Noka e Edi Paloka, ish-deputeti Luçiano Boçi, 3 mediave, 7 gazetarëve dhe avokatit të Berishës, Genci Gjokutaj.

Sipas vendimit të gjykatës së Posaçme, pushimi i çështjes penale të regjistruar pas padisë së saj është bërë për shkak të mosparaqitjes pa shkaqe të arsyeshme viktimës akuzuese Teodoresku në seancën e së hënës. Tetorin e dy viteve më parë, Teodoresku mbrojti interesat ligjorë të Berishës pas një ping-pongu avokatësh në seancën që zgjati gati tre ditë.

Fillimisht, dy avokatët e zgjedhur të Berishës braktisën gjyqin, ndërsa gjykata caktoi kryesisht në momente të ndryshme 3 avokatë kryesisht, që u zëvendësuan në përfundim nga Teodoresku, që përfaqësoi Berishën në gjyq.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos