"Po sikur makina e autorëve të kishte eksplozivë?" Eksperti Softa ngre alarmin: Depërtuan në aeroport

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2025, 21:30 | Kronikë

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, u shpreh se makina e personave që kryen atentatin në Rinas, përveç armëve, mund të kishte pasur edhe eksplozivë dhe askush nuk e kontrolloi.

"Si mund të hysh brenda në parkim? Sepse mund të hysh edhe me lëndë eksplozive. Ju thatë që hyri dhe nuk u kontrollua që kishte armë brenda në makinë. Po nesër mund të ketë eksploziv, si do ta kontrollosh? Dhe kur ajo është aq afër perimetrit dhe aq afër nën elementët e pasagjerëve. Ke edhe ndërtesa në afërsi. Më thuaj një aeroport që ka kaq afër ndërtesat", deklaroi Softa.

Ndërsa Mit’hat Havari tha: “Nëqoftëse duam ne të ecim me hapa të shpejta për të shkuar në Bashkimin Europian, këto që po ndodhin e zbehin Shqipërinë. Pavarësisht propagandës që bëhet. Unë shoh dhe një lloj krize identiteti brenda radhëve të Policisë së Shtetit. Shoh krizë lidershipi. Nuk kanë drejtues me emër që unë i njoh. Janë shumë të dobët. Nuk kanë karrierë, nuk kanë të shkuar që të vish Drejtor i Përgjithshëm. Duhet të kesh një karrierë të caktuar, të jesh absolutisht i pakundërsueshëm, i ndershëm. Kështu janë edhe drejtoritë e qarqeve, të dobët. I çojnë edhe kthehen, janë të pazotë, të paaftë, nuk organizohen, nuk dalin në terren. Shqipëria është vend i prapambetur, me probleme të mëdha. Këtu nuk është Hollandë që rri në zyrë drejtori dhe komandohen trupat. Këtu duhet të dalin vetë. Kështu është situata. Situata që kam lënë, ka kaluar 20 vjet, dhe në vend që të ecet përpara, ka regres. Vazhdojnë me përqindjet e Enver Hoxhës. Janë kot, totalisht mashtrime dhe gënjeshtra. Nuk i hyjnë kujt në punë. Nuk kam menduar kurrë që mbas 25 vjetësh të ketë vrasje në mes të kryeqytetit".

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos