Prokuroria e Fierit sekuestron pasuritë e 3 personave të dyshuara nga pastrimi i parave, të lidhura me grup kriminal në Itali

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2025, 13:51 | Kronikë

Prokuroria e Fierit sekuestron pasuritë e 3 personave të dyshuara nga

Prokuroria e Fierit ka sekuestruar pasuritë e 3 shtetasve dhe kompanitë e tyre të cilat dyshohet se përdoreshin si mjet për pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale. Hetimet nisën pas dyshimeve se nëpërmjet familjarëve dhe shoqërive tregtare në posedim të tyre, ishin përfshirë në veprimtarinë e pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale.

“Prokuroria pranë Gjykatës Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, sekuestroi pasuritë e shtetasve A.H. K.H., dhe M.H., si dhe shoqëritë në posedim të tyre të cilat dyshohet se përdoreshin si mjet për pastrimin e produkteve të veprimtarisë kriminale.  Hetimet mbi procedimin penal nr.323, të vitit 2025, regjistruar për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, i nisur mbi bazën e të dhënave të përcjella nga Sektori për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nisën pas dyshimeve se shtetasit, A. H, A. H, nëpërmjet familjarëve dhe shoqërive tregtare në posedim të tyre, ishin përfshirë në veprimtarinë e pastrimit të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, njofton Prokuroria.

Sipas Prokurorisë, ekzistojnë dyshime se një prej këtyre shtetasve, në bashkëpunim me familjarët e tij, ka përfituar të ardhura nga veprimtari kriminale jashtë vendit dhe i ka investuar në Shqipëri përmes bizneseve dhe pasurive të paluajtshme.

Nga hetimet ka rezultuar se A.H. është arrestuar më 24 maj 2016, pasi ndaj tij Gjykata e Apelit të Milanos në Itali kishte lëshuar urdhër arresti për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Mbajtje e paligjshme e drogës”, të kryera në bashkëpunim.

"Nga hetimet u dokumentua fakti se “shtetasi A. H, në datë 24.05.2016, është arrestuar, pasi gjykata e apelit Milano/Itali, ka lëshuar urdhrin e arrestit për kryerjen e veprave penale "Trafikim i lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim. “Mbajtja e paligjshme e drogës” në bashkëpunim parashikuar nga legjislacioni Italian. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, në vendimin e datës 26.05.2016, caktoi masën e sigurisë "arrest në burg", në funksion të ekstradimit të këtij shtetasi të proceduar në Itali, në kuadër të një grupi kriminal i cili, paratë e fituara nga aktiviteti kriminal në fushën e narkotikëve i dërgonin në Shqipëri nëpërmjet linjave të autobusëve për udhëtarë. Nga shqyrtimi i Vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, rezulton se, shtetasi A.H, ishte shpallur në kërkim nga autoritetet Italiane, për veprën penale “Përfitimi i të ardhurave që burojnë nga aktivitetet kriminale drogë”, parashikuar nga nenet 110 dhe 648 të Kodit Penal Italian”.

Ai dyshohet se ishte pjesë e një grupi kriminal shqiptar që trafikonte drogë në Itali dhe dërgonte në Shqipëri miliona euro përmes linjave të autobusëve dhe kamionëve të transportit ndërkombëtar.

“Sipas të dhënave paraprake ende në verifikim hetimet e autoriteteve italiane tregojnë se, grupi kriminal i drejtuar nga shtetas shqiptarë, pjesë e së cilës ishte dhe A. H, ka dërguar në Shqipëri miliona euro të fituara në trafik droge, në periudha të ndryshme kohore. Këto para, dyshohet transportohen përmes linjave të autobusit Itali-Shqipëri apo nëpërmjet shoferëve të kamionëve të transportit ndërkombëtar”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos