
Esmeralda Rama, do jetë përfaqësuese ligjore e Monika Kryemadhit në seancën e kësaj të mërkure, pasi sërish Redi Llanaj pati probleme në skanimin e sendeve të tij personale. Avokati nuk pranoi t’i skanojë ato sipas procedurës, ndaj mbeti jashtë seancës.
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi të dy janë prezentë të seancë. Kujtim Cakrani, avokat i Ilir Metës relatoi papërdorshmërinë e provave që ka sjellë SPAK për përpilimin e akuzës.
“Kallëzimi penal i parë nuk ishte për z.Meta, ishte për Sali Berishën dhe kabinetin e tij për koncesionin, jo individualisht. Më pas çuditërisht u kallëzua edhe Meta nga Romeo Kara. CEZ-DIA është një ndërmarrje shtetërore. DIA është një kompani amerikane. Meta nuk është përmendur kurrë. Akuza është bërë për të goditur Metën. Në 15 faqe përmblidhet çështja e shekullit, pastaj faqet e tjera janë për t’u mbushur. Kjo është luftë politike. Dhe luftën politike, nuk mund ta materializosh me akuzë, sidomos për një akuzë të rëndë për korrupsion.
Në 2009, kur është shkruar mesazhi që pretendon akuza “Deri nesër më duhen 200 mijë”, nuk ekziston në dosje, dhe asokohe Meta nuk ishte funksionar publik, ishte deputet opozitar. Ku është subjekti i posaçëm që akuzohet për korrupsion pasiv? Z. Meta ishte një deputet i thjeshtë që vinte vërdallë aty… si këta sot. Nuk ishte ministër apo zyrtar i lartë. CEZ DIA është një statistikë, një episod për të dënuar Z. Meta. Dhe këto janë përpiluar në akuzë.”
Avokati kërkoi papërdorshmërinë e akteve dhe fashikujve për episodin e parë në dosje që është CEZ DIA.
Kërkesat
1. Dy videot e dy gazetarëve në intervistat e gruas së Kastriot Ismailajt (administratori i DIA) dhe Ervis Matajt (drejtor i kompanisë DIA).
2. Mesazhi SMS, materiali i përgjuar në 2009.
3. Video-përgjimi i Dritan Priftit, sepse thëniet e tij nuk mund të provohen pasi ai ka ndërruar jetë. Dritan Prifti merrej me incizime, fuste njerëzit në zyrë dhe i regjistronte. Nuk duhet ta përmendim se sot është i ndjerë, por kështu është.
4. Vendimet e arbitrazhit, nuk mund të merren parasysh sepse kemi legjislacione të ndryshme.
Për këto prova avokati kërkon papërdorshmëri absolute. Ai pretendon se ato janë marrë në paligjshmëri sepse janë prova të marra pa vendim gjykate nga persona privatë.
1. Në përmbajtje të videos intervistuese gazetari ndërton narrativë fajsie, ai e orienton të intervistuarin drejt fajësisë së z. Meta në intervistën me Ervis Matajn.
2. Intervista me Vojsava Ismailajn nga një subjekt privat që pretendon se është gazetar.
3. Kur është dërguar SMS, që pretendohet se Z. Meta i ka kërkuar 200 mijë euro Kastriot Ismailajt, Meta ishte deputet i parlamentit të Shqipërisë pasi asokohe ai gëzonte imunitet absolut. Kjo provë është marrë në mënyrë të paligjshme, ka cenuar imunitetin kushtetues. Të përjashtohet nga fashikulli.
4. Video-përgjimi i Dritan Priftit. Të përjashtohet nga gjykimi. Z. Prifti nuk e kemi më që të ballafaqojë thëniet në atë video. Nuk përmbush kushtet në marrjen e provave. Nëse prova merret në mënyrë të paligjshme, ajo është e tillë.
5. Dëshmia e z. Heisek të mos merret parasysh. (A2 Televizion)