Policia ka bërë të ditur se në kuadër të operacionit të koduar “Fraud” është vënë në pranga shtetasen me iniciale I. B., 30 vjeçe, punonjëse e DRSHTRR Elbasan, pasi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën dhe ka falsifikuar dokumentet.
Një ditë më parë, Policia arrestoi një 37-vjeçar dhe shpalli në kërkim të tjetër punonjës të DRSHTRR Elbasan, të cilët bashkëpunuan për të shitur në kundërshtim me ligjin, 3 automjete të marra me qira, të cilave iu kishin hequr GPS.
“Si rezultat i kërkimeve të zhvilluara në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ditën e djeshme, pas organizimit të operacionit policor të koduar “Fraud”, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Elbasan kapën dhe ndaluan shtetasen e shpallur në kërkim I. B., 30 vjeçe, banuese në Elbasan, me detyrë juriste në DRSHTRR Elbasan, për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Falsifikimi i dokumenteve", të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se 30-vjeçarja ka shpërdoruar detyrën, duke falsifikuar kontrata për pronësinë mbi 3 automjete të marra me qira, të cilat u shitën në kundërshtim me ligjin, nga shtetasit Th. B. dhe R. L. (Th. B., i arrestuar dje; R. L. punonjës i DPSHTRR Elbasan, ende në kërkim), pasi iu hoqën GPS.
Gjatë operacionit u sekuestruan 3 automjetet, ndërkaq vijon puna për kapjen e shtetasit R. L.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
(A2 Televizion)