Gjykata e Shkodrës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Izmir Sakicën dhe Samuel Troshanin, të vetëdorëzuar në polici disa ditë më parë. Ata ishin shpallur në kërkim për një sherr të ndodhur në Shkodër vitin e kaluar.
Avokati i tyre, Sokol Tahiraj deklaroi se këta dy shtetas deri më tani janë të dyshuar vetëm për ngjarjen e ndodhur në lagjen Rus më 3 qershor të vitit të kaluar për konfliktin me shtetasin Vladimir Bruçi, i cili është goditur.
Tahiraj tha se lidhur me ngjarje të tjera, deri me tani nuk ka asnjë lloj komunikimi. “Këto janë akuzat zyrtare deri më tani, se çfarë ka jo zyrtarisht nuk e di”, tha ai para gazetarëve në Shkodër.
Sakica dhe Troshani dyshohet edhe se janë dy prej autoreve në atë që njihet si masakra e Dobraçit, ku mbetën të vrarë me armë zjarri Arlind Bushati dhe Hamza Lici, ndërsa Bashkim dhe Flutura Basha, mbetën të vdekur pasi u përplasën nga makina e dy viktimave teksa po udhëtonin rastësisht me motor në momentin e atentatit. (A2 Televizion)