Vidhnin ATM-të në Tiranë, policia vihet në kërkim të 3 rumunëve

Nga A2 CNN
18 Janar 2024, 09:02 | Kronikë

Tre shtetas rumunë janë shpallur në kërkim nga policia shqiptare, pas hetimeve disajavore, nga të cilat u zbulua se grupi vidhte shuma monetare duke ndërhyrë në sistemet kompjuterike të ATM-ve, por edhe me anë të prodhimit të kartave të klonuara e kartave të vjedhura.

Uniformat blu sqarojnë se ATM-të e dy institucioneve financiare në vendin tonë, shpeshherë janë dëmtuar edhe me mjete të forta për t’i hapur rrugë ndërhyrjes në sistemet e tyre.

Policia ka arritur të zbardhë dhe dokumentojë me prova ligjore, 2 grabitje të mbetura në tentativë dhe 4 vjedhje të kësaj natyre, të kryera nga këta 3 persona.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të hetimeve për dokumentimin e ngjarjeve të ndodhura më datë 09.12.2023 dhe 06.01.2024, ku u tentua dhe u vodhën disa ATM të institucioneve financiare në Tiranë, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat i hetimeve intensive të kryera, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit: F. O., 51 vjeç, M. M., 45 vjeç, A. S., 20 vjeç, të tre shtetas Rumun dhe banues në Rumani.

Nga veprimet hetimore intensive të kryera ka rezultuar, se këta shtetas, më datë 09.12.2023 dhe 06.01.2024, kanë tentuar të vjedhin dhe gjithashtu kanë vjedhur, me anë të ndërhyrjes në sistemet kompjuterike, me karta të klonuara, karta të vjedhura në shtete të huaja dhe duke dëmtuar disa ATM në Tiranë, shuma parash, në disa ATM po në kryeqytet. Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se këta shtetas, janë autorë të 2 rasteve të mbetur në tentativë, 1 vjedhjeje në datë 06.01.2024, dhe të 3 vjedhjeve të tjera, të ndodhura më datë 09.12.2023.

Policia ndërkohë vijon hetimet për dokumentimin e plotë të këtyre ngjarjeve kriminale dhe identifikimin e autorëve të tjerë të mundshëm të implikuar në këtë veprimtari.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Erion Dushi