100 forca policore, makina të blinduara dhe mjete civile kanë shoqëruar Sokol Sinomatin në drejtim të varrezave të qytetit, ku u zhvillua ceremonia mortore e të birit. Ai qëndroi gjatë gjithë kohës me pranga dhe brenda në blind, ndërsa ka dalë vetëm kur mbërriti trupi.
Gjatë 48 orëve të fundit, blutë e Vlorës kanë kontrolluar dhjetëra banesa dhe rezidenca në Vlorë dhe Selenicë të eksponentëve kryesorë të njohur si kundërshtar të Sinomatit ndër vite. Mbi 20 persona janë shoqëruar aktualisht, por deri më tani asnjë urdhër ndalimi nuk është konfirmuar nga blutë e Vlorës.
Grupi hetimor ka ndarë detaje mbi armën e krimit, të dala nga ekzaminimi balistik i gëzhojës së gjetur në vendngjarje dhe asaj në trupin e viktimës. Ekzekutimi është kryer me një snajper të kalibrit 7mm dhe precesion deri në 1 mijë metra.
Pistat e konfirmuara zyrtarisht lidhen me të shkuarën kriminale të Sokol Sinomatit, babait të viktimës dhe aktivitetin e tij të pas viteve 97-të.
Gjatë viteve të fundit “Banda e Belgjikës”, është sulmuar disa herë ku numëron 6 anëtarë të zhdukur/humbur mes viteve 2014-2016 dhe 4 të vrarë në atentatet e vitit 2019-2020 duke përfshirë edhe ngjarjen e djeshme.
Mirëpo, autoritet nuk përjashtojnë as vrasjen me motive të konflikteve të kohëve të fundit në Belgjikë për një sasi të vjedhur të kokainës, ku rezultojnë të vrarë dy persona gjatë muajve të fundit.
Në krye të hetimeve ka qenë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i cili ka sqaruar se prej 24 orësh po zhvillon analizë të detajuar, ndërsa janë hedhur në tavolinë të gjitha dosjet e vjetra. Sipas kreut të Policisë së Shtetit, ndihmë është kërkuar edhe nga institucione të tjera ligjzbatuese. Sakaq, hetim ka nisur edhe ndaj punonjësve të OSHEE për të mësuar motivet e ndërprerjes së energjisë elektrike. (A2 Televizion)