
Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu mesditën e sotme një fermë blegtorie në Patos, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Flakët shpërthyen rreth mesditës dhe u përhapën me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta dhe prania e sasive të mëdha të bazës ushqimore për bagëtitë. Fermerët, me ndihmën e banorëve të zonës, u përpoqën të shpëtonin kafshët nga flakët.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë forcat zjarrfikëse të Patosit, ndërsa për shkak të përmasave të zjarrit dhe rrezikut të përhapjes së tij në objektet përreth, në ndihmë u angazhuan edhe efektivët e shërbimit zjarrfikës të Fierit.
Pas disa orësh pune intensive, zjarrfikësit arritën ta vinin zjarrin nën kontroll, duke parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve. Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe për të vlerësuar dëmet e shkaktuara. (A2 Televizion)