Një shkëndijë elektrike ka mjaftuar për të shkrumbuar gjithçka në një dyqan në fshatin Delisufaj të njësisë administrative Allkaj në Bashkinë e Lushnjës.
Pasi kanë parë flakët e zjarrit, të afërmit dhe banorët e fshatit kanë shfrytëzuar dhe një kanal me ujë para ndërtesës, përmes të cilit janë munduar të shuajnë zjarrin. Megjithë sakrificën e banorëve, por edhe të familjarëve që kanë ardhur me urgjencë, nuk ka shpëtuar asgjë.
Familjarët kanë njoftuar zjarrfikësit, por kur kanë ardhur këta të fundit gjithçka është djegur. Fatmirësisht nuk është lejuar përhapja e zjarrit në ambjentet e tjera, ku dëmet do të ishin edhe më të mëdha, shkruan A2 CNN.
Asnjë nga familjarët nuk ka qenë prezent në ndërtesën që është përfshirë nga flakët. Sipas tyre (Juxhin dhe Rabushe Musaku kanë folur për A2 CNN), dëmet janë të konsiderueshme.
Ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)