
Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare pedagogu dhe studiuesi i letërsisë shqipe, Ali Xhiku, duke lënë pas një trashëgimi të pasur në fushën e kritikës dhe historiografisë letrare. Për dekada ai shërbeu me përkushtim në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, ku mbajti edhe detyrat e zv/dekanit dhe më pas të dekanit, duke formuar breza studentësh dhe duke ndikuar në mënyrën se si u lexua dhe u interpretua letërsia shqipe.
Vitin e kaluar, profesori ishte nderuar me çmimin “Autori i librit më të mirë studimor” në Panairin e 28-të të Librit për veprën “Faqeve të historiografisë shqiptare” (Onufri), një studim me rëndësi për teorinë dhe metodologjinë e historisë së letërsisë shqipe, shkruan A2CNN.
Ndër veprat e tjera të tij janë: “Letërsia shqipe si polifoni”, “Duke lexuar letërsinë e traditës”, “Nga romantizmi drejt rrjedhave të realizmit”, “Përmes mendimit historiko-letrar të Çabejt” (1999), “Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe”, etj. Prof. Ali Xhiku, i cili ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të Institutit të Kulturës Popullore pranë Akademisë së Shkencave, ishte një nga pedagogët që dha një kontribut të çmuar në studimin e letërsisë shqiptare. Ai është autor i librit studimor “Faqeve të historiografisë shqiptare” (Onufri), një vepër me rëndësi për teorinë dhe metodologjinë e historisë së letërsisë shqipe.
Po ashtu, ai është autor edhe i shumë librave të tjerë me karakter studimor. Ai ka theksuar se historiografia letrare duhet të ndërtohet mbi bazën e teksteve dhe zhvillimeve reale, jo mbi imponime ideologjike. Përmes qasjes krahasimtare dhe metodës kritiko-materialiste, Xhiku ka sjellë një perspektivë të re, duke e vendosur letërsinë shqiptare në dialog me traditat evropiane dhe duke nxjerrë në pah kufizimet e saj historike. (A2 Televizion)