“Ke çuar dhe njerëz që të më mbushin mendjen që të iki unë nga Shqipëria, po pse legen si puna jote jam unë që të dridhet goja. Çfarë prokurori je ti, që do të marrësh peng vjehrrën time, familjen time dhe kujton se do marrësh Partinë e Lirisë. Po pse o palaço ka frikë Ilir Meta nga burgu yt, me amerikanët si Dvorani dhe McGonigali”.
Këto deklarata, Ilir Meta i bëri gjatë një konference për mediat, e cila shpesh mori trajtat e një komunikimi në distancë mes tij dhe kreut të SPAK, Altin Dumanit.
“Po Ilir Meta nga burgu do ta shpërbëjë atë celulë kriminale që është atje. Po të kanë thënë ty amerikanët e tu të më futësh mua në burg, por kur të duash ti dhe amerikanët e tu, ballafaqohemi këtu ose në Amerikë. Dumani është shndërruar në një palaço, unë po ja them në sy, është shndërruar një pistoletë të Edi Ramës”.
Pavarësisht se përmendi disa herë fjalën burg dhe akuzoi kreun e SPAK se kërkon ta arrestojë, Meta kur u pyet nëse kishte informacion për ndonjë prangosje të mundshme dha këtë përgjigje.
“Nuk më kërcet fare për CEZ-DIA dhe për asgjë, se jam kristal i pastër. Një gjë e kam të sigurt, që do jem Kryeministër i Shqipërisë. Jam nga rraca e Vojo Kushit, ndaj thirri mendjes”.
Meta foli për një përpjekje sipas tij të Kryeministrit Rama për t’i marrë Partinë e Lirisë, në bashkëpunim edhe me kreun e SPAK. Ndaj ka vendosur të riorganizojë strukturën drejtuese të Partisë së Lirisë. Jo më një kryetar, por një president në drejtimin e saj, post për të cilin do të kandidojë.
Ndërsa propozon Erisa Xhixhon si zv/presidente dhe Tedi Blushin sekretar të Përgjithshëm.
“Ilir Meta ka nevojë për patriot, jo për çimkaxhinj dhe çimkaxhesha. Duan që Partia e Lirisë të jetë një vegël e shtetit të kapur nga Rama, i cili ka investuar për të krijuar fraksionin Duman-Dvoran-Adrian”.
I pyetur nëse drejtuesit e rinj të partisë janë të paracaktuar, Meta nuk dha një përgjigje, por vuri duart në kokë. (A2 Televizion)