1200 punonjës fasonë pa punë, Bozdo: Të ngrihemi në mosbindje civile

Nga A2 CNN
12 Janar 2024, 16:43 | Politikë

Partia Demokratike e rithemelimit reagoi pas publikimit të të dhënave të Shoqatës së Fasonistëve, ku vetëm në orët e fundit kanë humbur vendin e punës 1200 punonjës fasone. Anëtari i Kryesisë së PD, Eno Bozdo deklaroi se ky sektor e ka të vështirë të mbijetojë në treg pas zhvlerësimit të euros, aq më tepër kur, sipas tij, kërkesat e vazhdueshme për subvencione, nuk janë dëgjuar nga qeveria.

“Nuk ka një rast të dytë në botë kur një sektor është, jo për faj të tij, në një krizë ekzistence dhe qeveria realisht as nuk e përmend fare këtë çështje në prioritete e saj. Mesazhi që qeveria i jep këtyre familjeve është i qartë: “n.q.s s`keni të hani, ikni nga vendi, sepse ky nuk është vend për njerëz të punës. Na duhen më shumë lekët e drogës se ato i pastrojmë kollaj, sesa djersa e ballit e punës tuaj të ndershme”. Prandaj ne sot gjendemi përpara faktit se në dekadën e fundit, 1 milionë shqiptarë, afro 35% e popullatës së vendit, ka ikur!  Zhbërja e Shqipërisë po ndodh përpara syve tanë! Nuk është një skenar filmi hollivudian, si ai që shohin përditë përfaqësues të mazhorancës, por një tragjedi e vërtetë që shpaloset çdo ditë e më dhimbshëm.

Fasonistët nuk janë të vetmit. Profesionistët e lirë që tatohen me 23% nga qeveria, kur biznesmenët e mëdhenj tatohen me vetëm 8%, janë gjithashtu një specie në zhdukje. Fermerët po ashtu, sepse jeta në fshat është tashmë realisht e pamundur!

Qeveria krihet, ndërsa Shqipëria zhbëhet. Kudo dhe kurdoherë, historia na mëson se askush nuk mund ta ndreqë këtë përveç vetë shqiptarëve. Të ikësh nuk është zgjidhje, kur këtu të gjithë së bashku, me mjete civile të mosbindjes, mundemi ta përmbysim këtë regjim që po i merr frymën të gjithëve, socialistë apo demokratë. Duhet vetëm guxuar, çdo ditë, për tu përballur me të.

Partia Demokratike është e vendosur në misionin e saj. Ne do të rezistojmë dhe do të fitojmë. Në fund  ai që do të largohet do të jetë Rama, dhe jo shqiptarët e ndershëm. Por koha nuk pret, prandaj, O Sot O kurrë!”

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos