Sondazh: Sa prezent është aktiviteti fizik në përditshmërinë tuaj?
  • Çdo ditë 45%
  • Tre herë në javë 18%
  • Vetëm në fundjavë 9%
  • Asnjëherë 27%

“Më vjen keq për të, por ka kosto për PD”, Basha komenton arrestimin e Sali Berishës

Nga A2 CNN
11 Janar 2024, 17:29 | Politikë

Në konferencën e parë për mediat në vitin 2024, kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha ka komentuar edhe vendosjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” për kreun e Rithemelimit, Sali Berisha.

Basha u shpreh se në rrafshin personal ai ndjen keqardhje për vendimin e drejtësisë ndaj një personi me të cilin ka bashkëpunuar, por vendosi theksin te kostoja që beteja personale e Berishës ka pasur mbi opozitën dhe Partinë Demokratike.

Kam dy reagime. Njëri është në rrafshin personal tjetri në rrafshin politik, zyrtar. Në rrafshin personal nuk më vjen mirë. Më vjen shumë keq që një njeri me të cilin kam bashkëpunuar për një kohë të gjatë, i cili pa diskutim ka dhënë kontributet e veta për vendin të përfundojë këtu. Çfarë kam pasur për ti thënë, ia kam thënë dhe besoj e dini sepse edhe ai e ka thënë publikisht një pjesë të këtij komunikimi, që kishte të bënte me hapat që duheshin ndjekur për të mos ardhur këtu. Në fund secili bën zgjedhjen e vetë në jetë dhe duhet të marrë përgjegjësinë për zgjedhjen që ka bërë. Kjo është njëra anë e kostos që sjellja e tij i solli të gjithëve. Kjo është kosto që ka marrë personalisht, kosto e familjes së tij, por një kosto të jashtëzakonshme i ka dhënë Partisë Demokratike dhe vendit. Në rrafshin personal nuk kam asgjë përveç keqardhje të thellë.

Sa i përket qëndrimit në rrafshin politik, Basha u shpreh se drejtësia nuk duhet të pengohet nga asnjë ligjvënës dhe për këtë arsye sipas tij, PD zyrtare ka propozuar heqjen e imunitetit për 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë.

Nga ana tjetër është e domosdoshme që PD dhe opozita ta lënë pas të shkuarën dhe të ecin përpara. Jo të shkelin mbi të shkuarën, as të mohojnë, as të ndryshojnë, as të retushojnë, as gjërat e mira as të këqija , por të ecin përpara. Dhe përgjigja zyrtare është që në çdo rast qëndrimi i PD është që drejtësia duhet të bëjë punën e saj e papenguar dhe çdokush, duke filluar nga unë i pari, dhe çdo politikan duhet të jemi në dispozicion të drejtësisë pa asnjë kufizim. Për këtë arsye kam çuar në parlament propozimin për heqjen përfundimtare të imunitetit, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit.Por qëndrimi ynë politik është i qartë, votë pro sa herë që SPAK-u të kërkojë heqje imuniteti.”

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli