Nga “Rama 1” te “Rama 3”, si kanë ndryshuar qeveritë në vite

Nga Ervin Koçi
11 Janar 2024, 15:14 | Politikë

Nga “Rama 1” te “Rama 3”, si kanë ndryshuar

Ndryshimet e Fundit në kabinetin qeveritar treguan se Edi Rama ka një koncept të tijin se si duhen drejtuar ministritë. Dhënia Blendi Gonxhes të drejtën për të administruar shpenzimet buxhetore, kulturën dhe inovacionin tregoi se jo domosdoshmërish një Ministër duhet të fokusohet në një drejtim. Të tilla kanë qenë edhe kabinetet e Edi Ramës që nga 2013 ku pas bashkëqeverisjes me Ilir Metën, nisi të kompozojë i vetëm aparatin qeveritar.

Nga 2013-a deri sot, kompozimi i kabinetit qeveritar jo gjithmonë ka qenë ekskluzivitet i Edi Ramës. Caktimi i numri të ministrave dhe portofolet e tyre në mandatin e parë ishte i kushtëzuar nga bashkëjetesa politike me Ilir Metën, kundërshtari në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, që ju bë aleat në prag të zgjedhjeve. Tradicionalisht ndarja e pushtetit ndahej në përpjesëtim me votat e marra.

Tryeza e Këshillit të Ministrave shkoi deri në 21 karrige, duke shënuar numrin më të madh të Ministrave në një kabinet qeveritar. Për nga pesha politike e ministrit dhe trashësisë së portofolit qeverisës, disa ministri u konsideruan si superministri. Buxheti i tyre nuk ishte si i të tjerëve në tryezën me 21 vende.

Dy mund të veçohen, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë e drejtuar nga Erion Veliaj deri në vitin 2015 e më pas nga Blendi Klosi, si dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, e drejtuar nga Arben Ahmetaj. Ajo kishte për detyrë shpenzimin e parave publike për t’i përkthyer ato në investime. Super ministra u quajtën edhe Ilir Beqaj në krye të Shëndetësisë dhe Saimir Tahiri tek Punët e Brendshme, por kjo është një tjetër histori

Me Ilir Metën (që u nis drejt Presidencës për 5 vjet), bashkëjetesa politike përfundoi pas zgjedhjeve të vitit 2017, kur Edi Rama mori mandatin e dytë qeverisës dhe formoi qeverinë pa pasur nevojën për asnjë aleat. Këtë herë, tabloja për të pikturuar përbërjen e Ministrave ishte 100% e tij, dhe Edi Rama vendosi që drejtimi i vendit të bëhej nga 15 Ministri, një reduktim drastik krahasuar me kabinetin që kishte drejtuar më parë, duke marrë në konsideratë se dy ishin Ministri pa portofol.

Por reduktimi i ministrave nuk reduktoi degë qeverisjeje, thjesht ato u hoqën diku u bashkuan diku tjetër, duke u shtuar numri i superministrive. Konkretisht Arben Ahmetaj u bë Ministër i Financave dhe Ekonomisë që në gjuhën e përditshme, do të thotë një ministri që grumbullon para dhe i shpenzon po vetë. Damian Gjiknuri kishte një portofol edhe me Infrastrukturën edhe me Energjinë, duke pasur nën administrim burimet natyrore dhe energjetike shqiptare si edhe fondet për ndërtimin e rrugëve. Ogerta Manastirliu e cila gjatë mandatit Rama 1 qeverisi Shëndetësinë pas shkarkimit të Ilir Beqajt, pas 2017-ës mori nën administrim edhe mirëqenien sociale. Ndërsa Blendi Klosi do mbante edhe Turizmin dhe Mjedisin, të cilat më pas do t’i merrte Mirela Kumbaro.

Nga Rama dyshi tek Rama treshi kryeministri duket se kuptoi se 15 Ministri nuk ishin të mjaftueshme. Në shtator të 2021 ai kompozoi një kabinet me 19 ministri duke shtuar 4 struktura të reja, por pa u dhënë para për administrim. Ai riktheu Ministrinë për Marrëdhënien me Parlamentin, Ministrinë për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Ministër Shtetit për Rininë dhe Fëmijët dhe Ministër Shteti për Standardet dhe Shërbimet.

Por jetëgjatësia e tyre nuk ishte e gjatë. Në shtator të vitit 2023 ai shkarkoi Edona Bilalin dhe Milva Ekonomin dhe krijoi një ministri me portfol për Arbian Maznikun me krijimin e Ministrisë për Çështjet Vendore, pjesë që prej vitesh e mbante Ministria e Brendshme.

Lëvizja e fundit ishte e para pak ditëve kur pjesë të qeverisë bëri edhe Blendi Gonxhen, ku me një emër ndryshoi tre ministri. Ministria e Financave nuk kishte më Ekonominë, Kultura u shkarkuar tërësisht dhe shtuar si element të ri Inovacionin.

Ky rikompozim i fundi reduktoi numrin e ministrive në 17, ku zyrtarisht vetëm 13 administrojnë para publike pasi katër janë pa portofol ministror.

Do të informohesh i pari?
Shkarko aplikacionin tonë:
Android ~ iOS

A2 CNN Livestream

Ditari nga Loneta Progni