Sondazh: Nëse i afërmi juaj e ka ditëlindjen në 29 shkurt, kur e uroni?
  • 28 shkurt 33%
  • 1 mars 33%
  • Nuk e uroj 33%

Ashpërsimi i masës ndaj Berishës, vendimi i GJKKO: Influencë ndaj personave që mund të prishin provat

Nga A2 CNN
10 Janar 2024, 18:17 | Politikë

Në vendimin e 30 dhjetorit, që zëvendësoi masën e sigurisë “detyrim për paraqitje” e “ndalim të daljes jashtë shtetit” në atë të “arrestit në shtëpi” të Sali Berishës, Gjykata e Posaçme i eshtë referuar në disa raste edhe vendimeve të Gjykatës Europiane të Strasburgut.

Në vendimin tashmë të zbardhur, gjyqtarja Irena Gjoka nënvizon se ish-kryeministri nuk ka zbatuar urdhërimet e gjykatës, mund të prishë apo asgjesojë prova dhe se mund t’i fshihet drejtëisë. Sipas Gjykatës së Posaçme, ish-kryeministri nën hetim për “korrupsion” në mënyrë të qëllimshme nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës për t’u paraqitur në SPAK: “...nga ana e personit nën hetim Sali Berisha, nuk është paraqitur asnjë arsye e qenësishme që të justifikojë shkeljen e detyrimeve të përcaktuara në vendimet e gjykatës. Pretendimi i kërkuesit se arsyeja e moszbatimit të vendimit të gjykatës, lidhet me argumentimin se duhet të ishte dhënë autorizim nga Kuvendi i Shqipërisë për heqjen e lirisë së tij, para se të caktoheshin masat e sigurimit... , nuk qëndron, për sa kohë ligji ka parashikuar në mënyrë të qartë të drejtat dhe detyrimet e palëve në këtë situatë faktike: të drejtën e ankimit ndaj vendimit të gjykatës, por edhe detyrimin për ta zbatuar atë”. 

Referuar influencës që ka Sali Berisha për shkak të funksioneve që mban ose ka mbajtur në të shkuarën, Gjykata e Posaçme arsyeton se ai mund të dëmtojë provat: “Për faktin e ndodhur po zhvillohen hetime në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave të faktit dhe për shkak të funksionit që ka ushtruar më parë shtetasi nën hetim Sali Berisha në kohën e kryerjes së veprës penale, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, por edhe funksionit të tij aktual si deputet në Kuvendin e Shqipërisë, shtetasi nën hetim i lartpërmendur, për shkak të marrëdhënieve të krijuara si rezultat i ushtrimit të funksioneve të mësipërme dhe influencave që mund të ketë tek persona të tjerë, vijon të ekzistojë mundësia që të ndërhyjë dhe të ndikojë në prishjen apo asgjesimin e provave, si dhe në krijimin e rrethanave që vështirësojnë mbledhjen e provave, çfarë do të ndikonte në një hetim të mangët për sqarimin e plotë të faktit penal objekt gjykimi”. 

Gjykata e Posaçme konstaton edhe mundësinë e rrezikut të ikjes së ish-kryeministrit Berisha dhe këtë e arsyeton me rrethana që kanë të bëjnë, sipas gjykatës, me karakterin dhe personalitetin e Sali Berishës: “Gjykata, duke patur parasysh rrethanat që kanë të bëjnë me karakterin e personit nën hetim, ndikimin që mund të ketë qoftë në institucione shtetërore (lidhur me administrimin e provave shkresore), por edhe tek dëshmitarët, llojin e veprës penale që dyshohet të ketë kryer dhe sanksionin që parashikohet për këtë vepër penale, personalitetin e tij, që lidhet pikërisht me moszbatimin e vendimeve të gjykatave, lidhjet me persona me influencë, si dhe duke marrë në konsideratë kushtet dhe kriteret për caktimin e masave të sigurimit personal, parë dhe në këndvështrim të jurisprudencës së GJEDNJ, sa i përket diskutimit të rrezikut të largimit, në raport me faktin penal për të cilin ai dyshohet, çmon se këto rrethana vijojnë të jenë ende ekzistuese”.

Lidhur me ndalimin e komunikimit të Berishës me persona të tjerë jashtë familjes, gjykata argumenton se masa e re ndaj ish-kryeministrit lidhet pazgjidhshmërisht me kufizimin e së drejtës së shprehjes. Ndërsa pretendimet e Berishës se arsyet e masave të sigurimit ndaj tij janë insinuata politike në dëm të liderit të opozitës dhe aksionin politik përshkallëzues, janë çmuar si vlerësime subjektive dhe të pabazuara nga gjyqtarja Gjoka.

Vendimi është ankimuar nga avokatët e Berishës, ndësa ende në Apel nuk është caktuar një datë për shqyrtimin.   

A2 CNN Livestream

Ditari nga Denisa Pasholli