Porti i ri i Porto Romano në Durrës, ndërtimi i të cilit ishte parashikuar si një formë financimi me koncesion ose bashkëpunim shtet-privat, në fakt do të financohet nga buxheti i shtetit.
Ndryshimin e skemës së financimit, me vlerë rreth 410 milionë euro e njoftoi kryeministri Edi Rama pas mbledhjes qeveritare 2-ditore në Shëngjin. Kjo për shkak që të mos ketë zvarritje nga ngarkesat që burojnë nga financimi i huaj, pasi ky projekt ka natyre urgjente për qeverinë, argumentoi ai.
“Kemi kalendarizuar procesin për fillimin e garës ndërkombëtare për portin e madh të Durrësit, Porto Romanon, për të cilin do të bëjmë së shpejti një ndryshim të natyrës financimit pasi është një projekt strategjik dhe ka një urgjencë strategjike, duke qenë se kemi përfshirë edhe NATO-n në këtë proces për krahun ushtarak dhe jemi në një fazë shumë të avancuar të shkëmbimit të informacionit. Kështu, ndryshimi do të jetë që do të kalojmë me financim të brendshëm që të mos varemi nga kohët e tejzgjatura dhe nga ngarkesat e tjera që burojnë nga financimi i huaj”, u shpreh Rama. (A2 Televizion)