Reforma zgjedhore, Basha nuk i thotë “JO” bashkimit të votave me Ramën

Nga A2 CNN
11 Janar 2024, 18:15 | Politikë

Askush nuk mund të pretendojë se mund të ndryshojë Kodin Zgjedhor pa votat e Partisë Socialiste”.

Kjo fjali, që nënkupton një bashkim votash të Partisë Demokratike zyrtare me mazhorancën socialiste, ishte pjesë e një përgjigje shteruese të Lulzim Bashës ndaj pyetjes së gazetares së A2CNN, Fjorela Beleshi, lidhur ligjet dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend.

Referuar një pohimi të PD-së zyrtare për të votuar në Kuvend ligjin për rritjen e pagave të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Basha u pyet nëse diçka e ngjashme do të ndodhë për reformën zgjedhore, në një kohë kur Rama paralajmëroi pas retreat-it qeveritar në Shëngjin se kjo reformë mund të kalojë në Kuvend edhe pwrmes një konsensusi aritmetik.

Ne kemi deklaruar që duam një gjyqësor të pavarur dhe pavarësia financiare është pjesë e pavarësisë në tërësi. Këtij deklarimi i qëndroj 100%. Prioriteti i vendit është reforma zgjedhore. Asnjë problem tjetër nuk mund të jetë mbi mundësinë për t’u dhënë shqiptarëve një politikë me fytyrë njerëzore, për tu kthyer shtetin në duart e tyre dhe vegla e vetme për ta bërë këtë është reforma zgjedhore. Për reformën zgjedhore absolutisht, jo jemi të gatshëm, por kërkojmë menjëherë të mblidhet komisioni bipartizan, në transparencë të plotë me publikun, të marrë në shqyrtim propozimet që janë aty të PD-së dhe të ecim përpara me çështje që në fund të fundit nuk janë interesi im, por interesat e qytetarëve shqiptarë. Listat e hapura do të thotë se në Parlament shkojnë ata që marrin më shumë vota. Votimi elektronik dhe numërimi do të thotë të eliminosh të paktën 50% të problemeve të proceseve zgjedhore. Vota e diasporës është tashmë detyrim dyfish kushtetues dhe vettingu i politikanëve është pa diskutim një detyrim që kemi ndaj shqiptarëve që ta pastrojmë klasën politike. Për këtë proces të gjithë e dimë që asnjë parti politike në historinë e Parlamentit shqiptar nuk i ka patur votat. Pa diskutim që këtu duhet edhe vota e kundërshtarit politik. Jo sot që jemi në opozitë, por edhe në qeveri po të ishim, kërkohen 84 vota për ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Në rast se ecet me ndryshimet kushtetuese duhen edhe më shumë vota. Këtu s’ka asnjë çudi dhe askush nuk mund të pretendojë se mund të ndryshojë Kodin Zgjedhor pa votat e Partisë Socialiste. Edi Rama është rehat me këtë kod. Populli nuk është rehat me këtë kod, përgjegjësia jonë si PD është të tregojmë mundësitë, rrugën në të cilën ecet për akomoduar interesin publik, jo për të akomoduar gjendjen e Edi Ramës dhe kabinetit të tij. Nuk besoj se do të arrij të gjejë lakej në Parlament për të bërë ndryshime të Kodit Zgjedhor siç i do ai. Kodi Zgjedhor do të kalojë përmes një diskutimi konsensual të prioriteteve kombëtare." (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos