Përplasja në parlament, reforma zgjedhore në krizë, qeveria: E miratojmë brenda vitit 2024

Nga Ervin Koçi
8 Janar 2024, 10:51 | Politikë

Qeveria angazhohet për të miratuar reformën zgjedhore brenda vitit 2024. Në udhërrëfyesin për funksionimin e institucioneve demokratike të hedhur për konsultim publik, shprehet se gjatë këtij viti, do të mundësohet përfundimi i akteve ligjore që do të adresojnë rekomandimet e OSBE-ODIHR.

“Miratimi i një kornize ligjore që adreson rekomandimet e pazbatuara të OSBE-së përmes një procesi konsultimi të hapur dhe gjithëpërfshirës, brenda vitit 2024 duke adresuar depolitizimin e komisioneve zgjedhore të niveleve më të ulëta.”

Krahas rekomandimeve të ODIHR, qeveria angazhohet gjithashtu në adresimin e votës së emigrantëve, çështje për të cilën Kuvendi de facto ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i kishte lënë afat deri më 9 janar për ta miratuar.

“Adresimin e votimit të shtetasve shqiptarë me vendbanim të përhershëm jashtë territorit; Akuzat për blerje të votave dhe keqpërdorimin e administratës qendrore dhe vendore deri në fund të vitit 2024”.

Në udhërrëfyes, ekzekutivi angazhohet edhe për të shtrirë votimin dhe numërimin elektronik në më shumë njësi. Angazhimi i qeverisë vjen kur Komisioni i Reformës Zgjedhore që prej vitit 2022 nuk ka bërë asnjë punë, madje përmes debatesh u zgjat mandati edhe në sesionin që lamë pas.

E përsëri, prej katër muajsh, është në krizë funksionimi. Asnjë mbledhje nuk është zhvilluar dhe aktet që prekin jo vetëm Kodin Zgjedhor, duhet të kalojnë nga duart e deputetëve. Përbërja e Komisionit ishte një ndër shkaqet e kaosit që shoqëroi sesionin. Debati i kryesimit të grupit parlamentar demokrat mes Lulzim Bashës dhe Gazment Bardhit nuk mori një përgjigje zyrtare nga Lindita Nikolla.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos