19 viktima nga moti i keq në Bosnje Hercegovinë, presidenti Begaj mesazh ngushëllimi

Nga A2 CNN
4 Tetor 2024, 21:00 | Politikë

19 viktima nga moti i keq në Bosnje Hercegovinë, presidenti Begaj

Të paktën 19 njerëz kanë vdekur në Bosnje e Hercegovinë dhe shumë të tjerë janë lënduar, pas reshjeve të shiut që shkaktuan edhe rrëshqitje të dheut.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka shprehur një mesazh ngushëllimi për viktimat në nga moti i keq në Bosnje Hercegovinë. Në një postim në X, kreu i shtetit solidarizohet me qytetarët e prekur nga katastrofa në Bosnje Hercegovinë.

“Isha thellësisht i pikëlluar kur dëgjova për viktimat e përmbytjeve dhe disa dhjetëra të zhdukur në rajonin e Jabllanicës dhe zona të tjera në Bosnje-Hercegovinë. I shpreh ngushëllimet e mia Presidentit Beqiroviq dhe familjeve të prekura nga kjo fatkeqësi natyrore! Bashkoj lutjet e mia me ato të popullit shqiptar dhe solidarizohem me qytetarët e prekur rëndë nga kjo katastrofë”, shkruan Begaj, raporton A2.

Deri më tani, trupat e 16 viktimave janë gjetur në zonën e Jabllanicës dhe Konjicës në Hercegovinë, ndërsa shërbimet e shpëtimit janë në kërkim të personave të zhdukur. Tre njerëz kanë humbur jetën në Fojnicë nga vërshimet dhe rrëshqitjet e dheut, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga Mbrojtja Civile e kësaj komune në Bosnjën qendrore.

"Kemi shumë njoftime për persona të zhdukur. Situata më kritike është në zonën e Donja Jabllanica, që gjendet në rrugën nga Mostari për në Sarajevë", tha zëdhënësi i Qeverisë së Qarkut të Hercegovinës dhe Neretvës (HNK), Darko Juka.

Qeveria e Federatës së Bosnje e Hercegovinës (BeH) shpalli "gjendje të fatkeqësisë natyrore" në këtë entitet pas reshjeve të shumta që shkaktuan rrëshqitje dhe lëvizje të tokës në Hercegovinë dhe Bosnjën qendrore.

Këshilli i ministrave të BeH-it mbajti një mbledhje urgjente, ndërsa kryetarja e qeverisë shtetërore, Borjana Krishto, njoftoi se do të ftojë Qendrën Operative për Mbrojtjen Civile, si dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe ato të rajonit, për të ofruar ndihmë urgjente për Bosnje e Hercegovinën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos