“4.8 miliardë euro dëm”- Lapaj zbulon skemën: Si do i rimarrim nën kontroll doganat shqiptare

Nga A2 CNN
16 Janar 2025, 21:44 | Politikë

Drejtuesi i ‘Shqipëria Bëhet’, Adriatik Lapaj, është shprehur se subjekti politik ku ai aderon ka një projekt për marrjen nën kontroll të doganave në Shqipëri.

Komentet Lapaj i bëri në emisionin ‘Debat’ me gazetaren Alba Alishani në A2 CNN, ku tha se vetëm nga evazioni fiscal në dogana, buxhetit të shtetit në një vit i mungojnë 4.8 miliardë euro arkëtime.

Lapaj tregoi se subjekti politik që ai drejton parashikon që për sistemin tonë doganor të miratohet një sistem elektronik sipas të cilit, të gjithë doganierët e Shqipërisë do të kenë një kod unik.

Përmes këtoj kodi, Lapaj tha se do të vendoset me short çdo tre muaj sesi do të qarkullojnë këta doganierë nëpër Shqipëri, të cilët sipas tij, nuk do të qëndrojnë asnjëherë më shumë se 3 muaj në një vend.

Sipas Lapajt, kjo metodë do të shkëpusë lidhjet korruptive të doganierëve, pasi është e vështirë që në një periodhë 3 mujore, ata të krijojnë terrenin për bashkëpunim korruptiv me strukturat e tjera të administratës.

“Ne na duhet që bizneset, të mos i lëmë të rrinë fshehur, të mos kenë siklet. Për gjithë bizneset e vogla, me xhiro deri në 20 milionë lekë në vit, do i heqim nga tatami. Po do thoni ju po si? Sepse të gjithë duhet të paguajnë 10 %. Jo, sepse këta me paratë që do të kursejnë, do të paguajnë punonjësit më mirë, të kursejnë më shumë, të blejnë një shtëpi më të mirë, etj. Dhe fitimin do e mbledhim te biznesi i madh. Sepse ky që do kursejë, duke blerë një shtëpi më të mirë, ne do të kemi mundësi ta tatojmë aty te shtëpia.

Pika e tretë e paketës sonë lidhet me rimarrjen nën kontroll të doganave të Shqipërisë. Kjo është një pikë kritike. Është jashtë kontrollit sepse sot hyjnë minimalisht 450 mijë tonë kontrabandë vetëm naftë. Janë kapur pardje 1070 tonë. Kemi bërë diskutime të vazhdueshme, e kemi bërë edhe nga kjo studio. Ta kam shpjeguar se nuk mundet një republikë si jona të harxhojë 50 mijë tonë më pak se Kosova. Ndërsa të dhënat e fundit nga Kosova që vijnë, janë që Kosova ka arritur në 1 milionë tonë konsum, ndërsa ne vijojmë deklarojmë 650 mijë tonë. Tani si mundet Kosova të harxhojë kaq shumë në raport me ne? Kosova ka 397 mijë mjete, ne kemi 800 mijë. Ne kemi dhjetëra mjete lundruese, Kosova zero. Ne kemi 8-10 herë më shumë fluturime në vit se Kosova.

Ne parashikojmë që për sistemin tonë doganor të miratojmë një sistem elektronik sipas të cilit, të gjithë doganierët e Shqipërisë do të kenë një kod unik. Këta doganierë do të jenë në një sistem unik siç është shorti i gjykatave. Dhe shorti do të përcaktojë çdo tre muaj rishortim për doganierët. Pra ai që është në Qafë-Botë sot, pas tre muajsht do të rishortohet në Morinë, pastaj pas 3 muajsht në Muriqan. Kjo do të bëjë që të qarkullojmë doganierët, në mënyrë që të mos lejohet që të krijohen linja korrupsioni. 3 muaj janë të pamjaftueshëm për një doganier, që të lidhë marrëveshje korrupsioni me punonjësit e policisë aty, me tregtarët që kalojnë kontrabandën, me oficerët e krimit ekonomik, etj. Vetëm nga evazioni fiskal në dogana ne na mungojnë 4.8 miliardë euro arkëtime. Këto janë lekët e munguara të rrogave, pensioneve, etj”, tha Lapaj, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos