Hyrjen në dekadën e nëntë të jetës, Sali Berisha e festoi në arrest shtëpie. Këtë ditë të veçantë, kreu i Partisë Demokratike ia kushtoi mbështetësve të tij, me të cilët zhvilloi një komunikim të gjatë online, duke iu përgjigjur kuriozitetit të tyre, raporton a2.
“Keni besuar tek unë edhe në kohërat më të vështira. Keni mbështetur Sali Berishën edhe kur ajo kishte një çmim. U ndala për të thënë këto vetëm e vetëm për të theksuar se sa mirënjohës, se sa borxhli, sa i motivuar dhe i frymëzuar ndjehet Sali Berisha sot në këtë majë të 8 dekadave udhëtim. E bukur shumë, ua them ju”.
Në seancën e gjatë pyetje-përgjigje, Berisha kujtoi disa prej momenteve më të rëndësishme të jetës së tij, duke u ndalur më gjatë në vitin 2021, ku dhe u shpall non grata nga SHBA.
“Duhet të qëndroja ndaj atyre të cilët u përpoqën jo të godasin një njeri, absolutisht, u përpoqën nga pozita korruptive majtiste, të fshijnë një histori të kombit tim 30-vjeçare. Në këtë kontekst, mendoj se me veprimtarinë time është ky një nga shërbimet më të mëdha që e bëj për kombin tim që unë e adhuroj”, citon A2 liderin demokrat.
Tregoi dhe pengjet e jetës, duke rrëfyer se çfarë do të bënte ndryshe nëse do të kthehej pas në kohë.
“Nëse do të kthehesha në kohë, ligji 7501 nuk do ishte ky që është sot. Nëse do të kthehesha në kohë piramidat nuk do të ndodhnin kurrë”.
Në këtë 80-vjetor, Berisha mori urime të shumta nga miq dhe bashkëpunëtor të tij, si anëtarë të Partisë Demokratike dhe aleati Ilir Meta. (A2 Televizion)