“Akt pabesie i PS në raport me SHBA”, Blushi: Jemi pro marrëveshjes së huasë, por kundër procedurës

Nga A2 CNN
27 Korrik 2026, 17:49 | Politikë

Deputeti Tedi Blushi foli në emisionin “Ditari i Pasdites” nga Pandi Gjata në A2CNN lidhur me marrëveshjen e huasë me SHBA-të, duke theksuar se opozita është pro paktit, por kundër procedurës dhe veprimeve të mazhorancës.

Blushi theksoi se nga ana e PS kemi të bëjmë me një akt pabesie në raport me marrëdhëniet me aleatin strategjik, SHBA-të, si dhe një shkelje të Kushtetutës.

Deklaratat e Blushit vijnë në një kohë kur deputetët e opozitës nuk iu bashkuan votimit për marrëveshjen në Kuvend.

Qeveria e ka miratuar këtë marrëveshje më 19 qershor të këtij viti, ka pasur 5 javë kohë për të respektuar procedurën parlamentare, sepse rregullorja e Parlamentit buron nga Kushtetuta, dhe s’ka asnjë arsye nëse një marrëveshje kaq e veçantë, marrëveshje sekrete, me partnerin më të rëndësishëm strategjik të Shqipërisë, nuk mund të trajtohet si e pavlerë. Mazhoranca me vetëdije ka trajtuar një marrëveshje të një rëndësie kaq të veçantë, si një letër të pavlerë, nuk besoj se është në interesin marrëdhënieve strategjike me SHBA-të që një marrëveshje kaq të veçantë ta miratojmë në shkelje të Kushtetutës, në një vend që është simbol i respektimit rigoroz të Kushtetutës. Ky është një akt pabesie në raport me marrëdhëniet e veçanta, aleancën strategjike me SHBA-të, dhe këtu fillon dhe mbaron ky diskutim. Opozita e ka shprehur se është pro marrëveshjes, por s’mund të pranojë që një marrëveshje e kësaj rëndësie me aleatin strategjik të kalojë në Parlament përmes një procedure të qëllimshme anti-kushtetuese. Është një tjetër kompromentim i rëndë që kjo mazhorancë u bën raporteve me SHBA-të”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos