Amnistia Penale, Gogu tregon në Komisionin e Ligjeve kush përfiton: Asnjë i dënuar nga GJKKO

Nga A2 CNN
8 Qershor 2026, 11:36 | Politikë

Amnistia Penale, Gogu tregon në Komisionin e Ligjeve kush përfiton:

Amnistia Penale po shqyrtohet në parim në komisionin e ligjeve këtë të hënë, ndërsa është parashikuar të kalojë në seancë plenare më 18 qershor. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi nismën para komisionit, duke theksuar se në të nuk përfshihet asnjë person i dënuar për korrupsion nga Gjykata e Posaçme.

“Nëpërmjet zbatimit të amnistisë, një nga efektet kryesore është edhe ulja e numrit të të dënuarve në institucionet penitenciare. Ulja e numrit të personave të burgosur përmirëson kushtet në këto institucione, duke garantuar trajtimin e tyre në përputhje me rregullat evropiane të burgjeve”, tha Gogu, përcjell A2 CNN.

“Aktualisht, në sistemin e burgjeve janë të akomoduar gjithsej 4 982 persona, nga të cilët 1 827 të dënuar dhe 2 629 të paraburgosur (gjendja datë 24.12.2025). Janë analizuar të dhënat për personat e burgosur që ndodhen aktualisht në sistemin e burgjeve dhe, referuar kritereve të ligjit nr.33/2024, “Për dhënie amnistie”, rezulton se rreth 380 shtetas përfitojnë lirimin e menjëhershëm dhe rreth 900 shtetas përfitojnë ulje dënimi, nëse zbatohen të njëjtat kritere të përcaktuara në këtë ligj”.

Gogu tregoi me detaje kush përfiton dhe kush jo nga amnistia. “Të gjithë burrat që janë dënuar deri më 3 vjet ose i kanë mbetur më pak se 3 vjet dënohen menjëherë. Të gjitha gratë që janë dënuar deri në 4 vite ose i kanë mbetur më pak se 4 vjet dënohen menjëherë. Të gjithë burrat +60 vjeç dhe gra +50 vjeç lirohen menjëherë. Të miturit të cilët në momentin e krimit kanë qenë nën 18 vjeç lirohen menjëherë. Të gjithë të dënuarit e tjerë burra marrin një vit ulje, gratë 1.5 vite”, shtoi ministri.

“Përjashtohen nga amnistia të gjithë ata nuk mund të ketë kryer krime të rëndë, vrasjet në rrethana cilësuese, krimet seksuale, trafikimi, korrupsioni që është  nën juridiksionin e SPAK dhe GJKKO apo krimet zgjedhore. Kushti kryesor do të jetë që dënimi duhet të jetë dhënë deri në 31 dhjetor 2025". (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos