Këshilltari i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Imeldi Sokoli, i cili në zgjedhjet lokale të 14 Majit garoi nën siglën e Partisë Demokratike, pjesë e grupit të Lulzim Bashës, e ka braktisur këtë të fundit.
Me një postim në rrjetin social Facebook, ai shprehet se i bashkohet grupit të këshilltarëve të PD-së, tashmë të drejtuar zyrtarisht nga Sali Berisha.
Në një analize rreth aksionit opozitar Sokoli shprehet se "duhet të mbështetet në përbashkim në çdo instancë”.
“Po ashtu në Këshillin Bashkiak të Shkodrës, ku unë jam pjesë, duhet të kemi një kamp të vetëm opozitar. Në këtë mënyrë kjo sjell një administrim më të përgjegjshëm të Shkodrës. Patjetër unë do jem pjesë integrale e këtij përbashkimi sepse që të hysh në mejdan me pushtetin duhet të jesh pjesë aktive e kampit opozitar”, shkruan Sokoli.
Një veprim ky i pritshëm i Sokolit, i cili e paralajmëroi me pjesëmarrjen në protestën e 7 tetorit në Tiranë. (A2 Televizion)