
Presidenti Bajram Begaj ka uruar Kosovën me rastin e Ditës së Çlirimit, duke vlerësuar sakrificën e qytetarëve, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetjen e NATO-s.
Në një reagim në rrjetet sociale, kreu i shtetit shkruan se liria e Kosovës erdhi falë sakrificës së mijëra burrave dhe grave, luftës së UÇK-së dhe vendosmërisë së aleatëve strategjikë.
“Urime Ditën e Çlirimit, Kosovë! Liria e Kosovës erdhi në sajë të sakrificës sublime të mijëra burrave dhe grave, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vendosmërisë së aleatëve tanë strategjikë”, shkruan Begaj.
Presidenti shprehu falënderim të veçantë për NATO-n, duke theksuar rolin e saj në një nga momentet më vendimtare të historisë së Kosovës.
“Faleminderit NATO-s që qëndroi në anën e drejtësisë, lirisë dhe dinjitetit njerëzor në një nga momentet më vendimtare të historisë së kombit tonë”, vijon reagimi.
Begaj shprehu gjithashtu mirënjohje për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorët dhe të gjithë ata që kontribuuan për lirinë e vendit.
“Lavdi të përjetshme dëshmorëve të lirisë”, përfundon mesazhi i Presidentit. (A2 Televizion)