Shtetet e Bashkuara pritet të ofrojnë një shërbim të ri për aplikantët e vizave, i cili do të mundësojë zhvillimin e intervistës brenda 10 ditësh kundrejt një tarife shtesë.
Lidhur me këtë procedurë foli në emisionin "Dita Jonë" në A2CNN eksperti i emigracionit, Lorenc Mansaku, i cili sqaroi se bëhet fjalë për një opsion të veçantë për personat që kanë nevojë urgjente për të udhëtuar.
“Sipas burimeve që kanë dalë në lajme dhe që pritet të bëhen publike shumë shpejt, do të ketë një opsion shtesë për aplikantët që kanë një udhëtim të shpejtë dhe u duhet të caktojnë sa më shpejtë një datë interviste. Duke parë opsionet e mundshme kjo duhet marrë si gjë pozitive edhe pse tarifa është e lartë. Për dike që i del një udhëtim i paplanifikuar, ekziston kjo mundësi shtesë. Do jetë një kategori e veçantë për këta persona, siç është për ata që aplikojnë për Kampionatin Botëror, ku kapin një datë më të afërt për takime. Nuk duhet menduar që tarifa do bëjë të mundur lëshimin e vizës, pasi do jenë të njëjtat kritere si për ata që kanë paguar më pak.”
Mansaku theksoi se pagesa e tarifës së re nuk garanton marrjen e vizës, pasi procesi i vlerësimit dhe kriteret e pranimit mbeten të pandryshuara për të gjithë aplikantët.
Duke u ndalur te vizat turistike, ai kujtoi se autoritetet amerikane presin që vizitorët të respektojnë kohëzgjatjen e deklaruar të qëndrimit.
“Për vizën turistike në shumicën e rasteve, pritshmëria nga zyrtari, qoftë konsullata, qoftë personi që e ka pranuar në SHBA është që ai person do qëndrojë aq sa ka thënë në aplikimin për vizë. Personat që qëndrojnë më gjatë kanë pasur probleme me rihyrjen në SHBA apo rinovimin e vizës. Viza turistike nuk është për qëndrime 6 mujore në SHBA”, tha eksperti i emigracionit. (A2 Televizion)