
Familja Parllaku nga Kukësi ka ndërtuar ndër vite një biznes të suksesshëm në Shtetet e Bashkuara, duke arritur të menaxhojë tetë restorante në Filadelfia dhe New Jersey.
Gjatë një interviste në emisionin "Dita Jonë" në A2CNN Enver Parllaku, me profesion mësues, tregoi se historia e familjes së tij është e lidhur ngushtë me sakrificat dhe rëndësinë që i është kushtuar arsimit.
“Ne kemi mbetur shumë herët pa prindërit. Babai i kishte lënë amanet nënës që të na shkollonte. Jemi gjashtë vëllezër dhe të gjithë jemi të arsimuar. Njëri nga vëllezërit shkoi më herët në SHBA, ndërsa unë më vonë”, u shpreh ai.
Sipas Enver Parllakut, vitet e para në Amerikë nuk kanë qenë të lehta dhe familja është angazhuar në punë të ndryshme për të siguruar jetesën.
Nga ana tjetër, Korab Parllaku, i cili emigroi në Filadelfia në vitin 1999, tha se fillimet kanë qenë të vështira, por bashkimi i familjes ka luajtur një rol kyç në rrugëtimin e tyre.
“Kur erdhi vëllai, këmbëngula që të qëndronte aty. Më pas erdhën edhe vëllezërit e tjerë. Gjithmonë kemi qenë të bashkuar”, deklaroi ai.
Korab Parllaku tregoi se gjatë viteve të para në SHBA ka punuar në disa profesione njëkohësisht, fillimisht në klube nate dhe më pas si elektricist.
“Kam bërë deri në tre punë në të njëjtën kohë. Pas një periudhe të gjatë pune të lodhshme, filluam të krijonim stabilitet. Fillimisht morëm në administrim dy restorante, më pas një tjetër. Më vonë edhe nipi ynë hapi katër restorante të tjera në New Jersey”, tha ai. (A2 Televizion)