Koalicioni Pro Familje i kërkon Ministrisë së Shëndetësisë të shfuqizojë urdhrin për terapitë hormonale të fëmijëve mbi 13 vjeç. Kryetari i këtij koalicioni Akil Pano, përpara godinës së ministrisë ka bërë një deklaratë publike në lidhje me nismën ligjore të Ministrisë. Ndërsa nga ana e ministrisë theksohet se urdhri nuk prek fëmijët dhe as parashikon dhënien e hormoneve për konsulta shëndetësore.
“Koalicioni shqiptar pro familjes edhe jetës së bashku me Forumin Mysliman të Shqipërisë dhe gjithashtu përfaqësohet nga Diaspora për Shqipërinë e lirë. Sot përpara Ministrisë së Shëndetësisë, njohur si Ministria e Antishëndetit, fatkeqësisht paraqesim kërkesën tonë për tërheqjen e urdhrit dhe anulimin, shfuqizimin e menjëhershëm të urdhrit për nisjen e terapive hormonale njohur gjithashtu si kastrimi kimik i fëmijëve nga mosha 13,5 deri në 18 vjeç”, tha Pano, përcjell A2 CNN.
“Kërkesat tona argumentohen me nevojën për rishikim juridik të aktit, garantim të standardeve të mbrojtjes së të miturve, shmangie të efekteve të mundshme dhe të pakthyeshme te fëmijët. Dokumenti përfaqëson një qëndrim kritik institucional dhe civil ndaj një akti të Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ngre shqetësimet qytetare mbi ligjshmërinë e urdhrit, përputhshmërinë me konventat ndërkombëtare, ndikimin e mundshëm në të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”.
“Fatkeqësisht kemi të bëjmë me një ministri Shëndetësie e cila duhet të kurojë të sëmurët, por në sistemin spitalor në Shqipëri të sëmurët nuk shihen si pacientë, fatkeqësisht shihen si klientë. Një ministri e cila duhet të kurojë të sëmurët me kancer, një ministri e cila duhet të jetë një ministri që duhet të prodhojë politika sociale dhe solidariteti ndaj njerëzve në nevojë të cilët trokasin në dyert e spitaleve dhe nuk gjejnë kurim. Një Shqipëri e cila, edhe për shkak të një dështimi dhe një falimenti pothuaj total të këtij institucioni që qëndron prapa nesh, shqiptarët vijojnë të largohen nga Shqipëria për të gjetur kurim në vendet e tjera dhe zgjidhje të hallit të tyre në vendet e tjera”. (A2 Televizion)