
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar në rrjetet sociale duke njoftuar se, sipas tij, Departamenti Amerikan i Shtetit ka rishqyrtuar çështjen e tij dhe të familjarëve të tij, duke hequr kufizimin për udhëtimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Berisha e cilëson këtë zhvillim si korrigjim të një vendimi të padrejtë të administratës së mëparshme amerikane.
Kreu i demokratëve falënderon administratën e Presidentit Donald Trump dhe Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, për atë që ai e konsideron korrigjim të një vendimi të bazuar, sipas tij, në “lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe George Soros”.
REAGIMI
Të dashur miq,
Që nga dita e djeshme, pas një rishqyrtimi të thelluar nga Departamenti i Shtetit të çështjes time, unë dhe familjarët e mi nuk jemi më të privuar nga mundësia e udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, dje u korrigjua një vendim i padrejtë i administratës së mëparshme të SHBA-së ndaj meje dhe familjes sime.
Me këtë rast, dua të falënderoj administratën e Presidentit Trump dhe Sekretarin Rubio për korrigjimin e këtij vendimi të padrejtë, i cili ishte i bazuar fund e krye në lobimin korruptiv të Edi Ramës dhe mentorit të tij, George Soros.
Unë falënderoj gjithashtu familjen time, miqtë e mi shqiptar dhe të huaj, bashkëpunëtorët e mi, anëtarët dhe mbështetësit e PD-së për solidaritetin dhe mbështetjen e tyre të tejet të çmuar, të cilën e dëshmuan ndaj meje në sagen time për të vërtetën dhe dinjitetin njerëzor.
Mirënjohje të veçantë dua t'u shpreh sot mbi gjysmë milioni qytetarëve shqiptarë, të cilët, në kushtet tejet të vështira të një autokracie elektorale dhe një narkoregjimi, votuan për mua dhe Partinë Demokratike.
Duke përfunduar, ftoj anëtarët dhe mbështetësit e Partisë Demokratike të vazhdojmë pa rreshtur përpjekjet tona për rikthimin e votës së lirë dhe të ardhmes së merituar të qytetarëve shqiptarë.
(A2 Televizion)